Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në konferencën për media të hënën, ka thënë se njohja e Kosovës nga Serbia është shumë larg, ani pse është pasojë logjike e procesit të normalizimit.
“Objektivi i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës është normalizimi i marrëdhënieve. Pra kjo detyrë i është dhënë BE-së si ndërmjetësuese që të punojë me qëllim që dy palët të arrijnë normalizimin e raporteve”, ka thënë Stano në konferencën për media.
“Pra, nuk ka njohje, por natyrisht se do të mund të ishte pasojë logjike e normalizimit. Por është diçka shumë larg në proces. Pastaj janë pesë vendet mosnjohëse në BE që do të duhej të merrnin vendimin sido që do ta shihnin relevante”, ka shtuar ai.
Stano gjithashtu ka thënë se njohja nuk është çështje në kornizën e dialogut të lehtësuar.
“Detyra është normalizimi i marrëdhënieve dhe po e them edhe një herë, mandati i BE-së është që t’u ndihmojë Kosovës dhe Serbisë në normalizimin e marrëdhënive dhe këtë jemi duke e bërë”, ka shtuar zëdhënësi i BE-së.
Gjatë kësaj konference për media, ai gjithashtu ka konfirmuar takimin e kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel. Sipas Stanos, temë e takimit do të jetë nisja urgjente e zbatimit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.