Në stacionin Qendra të Policisë së Kosovës në kryeqytet mbrëmë pas mesnate është ndalur energjia elektrike për më shumë se një orë. KEDS po thotë se dyshohet që është djegur transformatori i Policisë për të cilin nuk kanë përgjegjësi. Në ndërkohë, monitorues të sigurisë konsiderojnë se raste të tilla janë shqetësuese.
Në orët e para të mëngjesit të së premtes, stacioni kryesor i policisë në kryeqytet, i njohur si Qendra ka qenë në terr.
Burime brenda Policisë i thanë televizionit se stacioni nuk ka pasur energji elektrike për më shumë se një orë.
Arsye për këtë ka, por KEDS po thotë se kjo nuk ka ndodhur me fajin e tyre.
“Transformatori që furnizon Stacionin e Policisë është pronë private e tyre. Ky transformator dyshohet se është djegur, por ai është aset i tyre dhe nuk i përket KEDS-it, për çka ju lus që t’u drejtoheni atyre”, kanë thënë nga KEDS.
Por gjatë ditës, zyra për media e Policisë së Kosovës nuk u përgjigjën në interesimin e televizionit për të kuptuar se çka kishte ndodhur saktësisht.
Ish zv. Ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha po thotë se ajo çfarë ka ndodhur është shqetësuese.
“Ndërprerja e energjisë elektrike në stacione policore është një sfidë e madhe dhe ndikon në uljen efikasitetin dhe efektivitetit, shkakton ndërprerjen e veprimtarisë normale te punës që është kruciale per ofrimin e shërbimeve ne mbrojtje te jetës dhe pronës së qytetareve”, ka thënë Hoxha.
Stacioni “Qendra” është një prej 8 stacioneve policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Prishtinë.
![](https://i.ytimg.com/vi/Dxq2BrHCXYs/hqdefault.jpg)