Kanë kaluar tri ditë që nga vdekja e Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ende nuk dihet se kur ish-presidenti mund të vijë në Kosovë.
Ish-presidentit Thaçi iu pamundësua pjesëmarrja në varrimin e babait të tij, pasi Gjykata Speciale në Hagë refuzoi kërkesën e cila ishte dorëzuar pas njoftimin për vdekjen e të atit.
Sot është dita e dytë me radhë ku familja Thaçi po pret njerëz të shumtë për ngushëllime në rastin e vdekjes së kryefamiljarit. E derisa ka mbetur veç edhe një ditë nga pritjet për kryeshëndoshë, ende nuk dihet nëse ish-presidenti Thaçi do të mund t’u bashkohet familjes sado pak.
Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar me zyrtarë të Gjykatës Speciale për të marr një përgjigje nëse Thaçit do t’i lejohet vizita në Kosovë, por nga atje thanë se “për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi”.
Gjykata Speciale bëri të ditur se kjo situatë kërkon përgatitje. Sipas zëdhënësit të Speciales, Michael Doyle pas kërkesës dhe trajtimit të saj duhet të bëhen disa përgatitje – ku kërkohet koordinim i ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë.
“Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa janë gjithmonë fillimisht konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjyqtarët zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më në detaje. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjyqtarët, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë pak kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë”,thuhet në përgjigje.
Pavarësisht se kërkesës së avokatit të Thaçit, Luka Misetiq që u bë ditën e hënë në ora 14:00 që t’i lejohet marrja pjesë në varrimin e babait, Gjykata vendosi për JO.
“Z. Thaçi ka bërë kërkesë dje para orës 14:00 për të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Zoti Thaçi nuk do të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Nuk do të kem asnjë koment të mëtejshëm për momentin”, ka shkruar Misetiq.
Kujtojmë se Thaçi ishte në Kosovë javën e kaluar pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të babait të tij. Gjykata Speciale konfirmoi se qëndrimi i tij në Kosovë është zhvilluar nën mbikëqyrje të masave të rrepta sigurie, duke theksuar karakterin humanitar të lejes së dhënë.
Më 13 mars kur Thaçi erdhi në Kosovë u lejua të qëndrojë me babain e tij në QKUK për rreth 4 orë. Takimi i tij me babain u përcoll nga forca të shtuara policore, derisa sipas informacioneve mundi të takojë veç gruan dhe djalin.
Vëllezërit e tij dhe familjarët e tjerë janë parë jashtë QKUK-së duke e parë Thaçin nga larg si shumë qytetarë të tjerë që ishin mbledhur atë ditë aty.
Situata të ngjashme në raste të vdekjeve patën edhe ish-krerët e UÇK-së që po ashtu vazhdojnë të gjykohen në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë. Kërkesat për pjesëmarrje në varrime u refuzuan, e në disa raste u lejuan të vinin në të pame ose paraprakisht në spital ku ishin të shtrirë familjarët.
Këto ngjarje e kanë rritur edhe më tepër mos-besimin qytetarë tek kjo gjykatë në të cilët prej vitesh po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së derisa atyre po u ndahen nga jeta shumë njerëz të dashur.