Gjykata Speciale ka theksuar qëndrimin për një kohë të gjatë në paraburgim të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, në vendimin e fundit për vazhdimin e paraburgimit, derisa ka thënë se përgjatë gjykimit do të monitorojë secilën faze të procedures së gjykimit. I njëjti rast ka vlejtur edhe në rastin e ish-kryekuvendarit të Kosovës, Kadri Veselit.
Specialja, në vendimin e fundit për vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-presidentit Thaçi, njësoj sikurse në vendimin për ish-kryekuvendarin Veseli, ka thënë se do ta monitorojë secilën fazë të gjykimit në mënyrë që ta vlerësojë nëse paraburgimi është i arsyeshëm dhe i nevojshëm, shkruan Demokracia.com.
“Megjithatë, Paneli thekson se z. Thaçi tashmë ka qenë në paraburgim për një periudhë të konsiderueshme kohore, dhe gjykimi në këtë rast ka gjasa të jetë i gjatë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
“Siç ka treguar më parë Paneli, kjo do të kërkojë që Paneli si dhe të gjitha Palët të jenë veçanërisht të ndërgjegjshëm për nevojën për të siguruar që gjykimi të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Paneli do të vazhdojë të monitorojë në çdo fazë të kësaj procedure nëse paraburgimi i vazhdueshëm është i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, vijon njoftimi.
“Megjithatë, Paneli thekson se i Akuzuari tashmë ka qenë në paraburgim për një periudhë të konsiderueshme kohore dhe gjykimi në këtë rast ka të ngjarë të jetë i gjatë”, thuhet po ashtu njoftimin për Veselin.
Në Ditën e Pavarësisë, 17 shkurt, Specialja mori vendim që t’i vazhdohet paraburgimi për një muaj ish-presidentit Thaçi dhe ish-kryekuvendarit Kadri Veseli.
Thaçi dhe të tjerët po mbahen që dy vite e gjysmë në Dhomat e Paraburgimit.
Mbrojtja e Thaçit në vazhdimësi ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta arsyetojë kërkesën për paraburgim, duke vlerësuar se këta të fundit nuk kanë arritur ta bëjnë një gjë të këtillë.
Prokuroria, ndonëse në vazhdimësi ka pretenduar se ekziston rreziku i ikjes apo frikësimit të dëshmitarëve, asnjëherë nuk ka ofruar ndonjë dëshmi faktike përpara trupit gjykues dhe mbrojtjes.