Komisioni për Buxhet dhe Financa sot ka refuzuar kërkesën e specializantëve të mjekësisë, për paga dhe mëditje, me arsyetimin se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për mbulimin e këtyre shpenzimeve.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Uran Halimi, përfaqësues i specializantëve, paralajmëroi mbajtje të protestave.
Ai e quajti skandaloz këtë vendim, ashtu siç e vlerësoi edhe deklaratën të cilën thotë se ua ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati, në takimin e 3 dhjetorit.
Sipas tij, Murati u ka thënë se si Qeveri nuk kanë interes të përkrahin personat që synojnë të vazhdojnë shkollimin jashtë vendit, duke u thënë se nëse kjo është në interesin e tyre personal, janë të lirë të largohen nga Kosova.
“Aktivitetet tona ne i kemi fillu që një vit. Më 3 dhjetor, kolegët janë taku me Komisionin për Buxhet dhe Financa dhe me ministrin e Financave, Hekuran Muratin, ka qenë e prirur nga ana jonë. Mirëpo, deklaratat e ministrit të Financave kanë qenë skandaloze. Sipas tij, ‘kush mendon që është interes i tij personal me lëshu Kosovën dhe me shiku me jetu jashtë, atëherë është i lirë për me vazhdu, shteti nuk ka interes për t’i përkrahin njerëzit, të cilët synojnë ta vazhdojnë studimin jashtë, për këtë arsye, nuk është interesi i jonë që me i përkrah 600 mjekë të ri’. Për neve kjo ka qenë skandaloze dhe në një farë forme ka qenë demotivuese, kur ministri i Financave thotë nuk është në interes tonin me i financu mjekët”, tha Halimi.
Ai bëri të ditur se kanë dorëzuar në polici kërkesën për protestë dhe ia kanë dërguar ministrit të ri të Shëndetësisë, Rifat Latifit, peticionet me kërkesat e 600 specializantëve.
Nëse nuk marrin asnjë përgjigje, përfaqësuesi i specializantëve paralajmëroi protestë të enjten.
“Për neve kjo ka qenë skandaloze dhe në një farë forme ka qenë demotivuese, kur ministri i Financave thotë nuk është në interes tonin me i financu mjekët. Atëherë, sipas kësaj deklarate dhe vendimi të sotëm, ne sot e kemi dorëzu në Policinë e Kosovës dhe te Ministri i Shëndetësisë një kërkesë, peticionet, janë rreth 700 peticione, që me na pagu dhe me i realizu kërkesat tona, nëse jo, të enjten nga ora 09:00 deri në orën 11:00 të gjithë specializantët do të protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo është kundërpërgjigjja jonë, që me i tregu edhe ministrit të ri të Shëndetësisë, i cili ka thënë se nuk duam që të na largohet truri nga Kosova, e ka rastin me na e dëshmu tani. Mirëpo, edhe kundër deklaratës skandaloze të ministrit të Financave”, deklaroi ai.
Në rast se nuk do të ketë efekt as kjo protestë, ai paralajmëroi bojkot ose protesta të përditshme dhe në qoftë se është nevoja, tha se do të ulen para ministrisë, deri në realizim të kërkesave të tyre.
“Edhe për kujdestari, se kërkesa është edhe për kujdestari. Mospagesa e kujdestarive, kur mjekët kujdestarojnë nga 24 orë në ditë, fundjavave dhe festave dhe nuk paguhen, përderisa më herët janë paguar, kjo është skandaloze, sepse kjo i demotivon mjekët e rinj për punë dhe ua humb kurajon për të dhënë kontributin e tyre për shtetin e Kosovës”, përfundoi ai.