Me veç një tiketë zgjedhore në duar, atë të ‘sovranitetit me çdo kusht’ – në këtë biletë me të cilën kërkon votë Albin Kurti është brendashkruar demantimi i vetes.
Për dy muaj rresht iu ekspozua vetë atij, me ngadalë, ajo çka përbënte mëkatin origjinal dhe zanafillor për Albin Kurtin: zotimin te NATO-ja nga Hashim Thaçi për mos-dërgimin e FSK-së në veri pa koordinim paraprak në vitin 2013.
FSK forcë menaxhimi emergjencash natyrore atëbotë: për Kurtin pararendësi i tij kishte kryer akt-të-barazflefshëm tradhtie kombëtare.
Katër vite më vonë, do ta përshkonte të njëjtën rrugë, por rëndë e më rëndë, me FSK-në me status ushtrie, me një letër të një natyreje gatise ‘përvajtuese’ përmes autorësisë së Ejup Maqedoncit, ministrit të vet të Mbrojtjes.
Retrospektivë…retroaktivisht…
Në një konferencë të zjarmishme për media me të ardhur në pushtet (shkurt, 2020), Albin Kurti, e kishte ngritur këtë si ndodhinë më të rëndë për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit: një marrëveshje të Thaçit me NATO-n.
Letër i kishte nisur pa humbur kohë Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, asokohe Vjosa Osmani, se në çka përkthehej realisht, ligjërisht dhe prakitikisht ajo letër të cilën e kishte zbuluar në kabinet të kryeministrit.
“Bartje e të drejtës absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri”.
“Marrëveshje sekrete dhe e paratifikuar”.
“Implikime kushtetuese (Neni 20: Bartja e Sovranitetit)”.
“Bartje e kompetencave sovrane përmes një marrëveshjeje sekrete”.
“Gjendje që nuk mund ta toleroj as si kryeministër as si qytetar”.
Në këtë tregim të dhënë si tablo finale dhe fatale – “të drejtë absolute të vetos” – u investuan e mbarë e Vetëvendosja për ta rrënjosur në psikën elektorale.
“Po ta dërgonin FSK-në në veri, çështja e veriut do të ishte punë e kryer”, ishte refreni shpjegues i Vetëvendosjes, ndërsa Hashim Thaçi, pamundësuesi origjinal i kësaj zgjidhje.
“FSK nuk e kalon Ibrin, katastrof është kjo punë” – Albin Kurti.
Për katër vite ishte kjo e vërteta e pandërprerë dhe pafund e riprodhuar deri në ngurtësimin e saj publik.
Hilja, megjithatë doli – dhe tregimi u bë për bisht lahute.
Në një intervistë në KTV para një muaji e quajti “tronditjen më të madhe” që kishte përjetuar si kre i shtetit, sërish duke iu kthyer letrës së Thaçit.
Hilja e rëndë? Kishte dërguar edhe vetë letër para as 10 ditësh që nga ky deklarim.
Vetë Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, do të thoshte në RTK2, se Maqedonci kishte dërguar “rizotim me shkrim, kohëve të fundit” se nuk e çon FSK-në në veri.
Intervista në RTK2 – për shkak se në gjuhën serbe – kaloi pa u vërejtur nga publiku deri në raportimin dhe publikimin e saj nga gazeta Nacionale.
Menjëherë pas kësaj kërkuam rikonfirmim të dytë nga Misioni Paqembajtës i NATO-s, se a ka dërguar rizotim me shkrim qeveria kosovare?
“Po”, rikonfirmuan ata.
Letra e Maqedoncit e pa dritën e diellit pas publikimit nga gazetari Lirim Mehmetaj.
Arsyet që çuan deri në atë rizotim: del të jenë, për të përdorur fjalët e Kurtit, “tronditëse” – shkaku, varrimi i vëllaut të Lulzim Hetemit, një ish-pjesëtari të UÇK-së.
Disa pjesëtarë të Togës Ceremoniale morën pjesë në një funeral në Bistricë të Leposaviqit. Prezentë: Albin Kurti, Armend Muja, Faton Peci (etj.)
E mbushur me pishman, kërkimfalje, arsyetime gatise marramendshëm vajtuese, dhe zotim se gabimi nuk përsëritet më – dhe deri te ripërforcimi i zotimit të 2013’ës
Qe disa pjesë të letrës ‘përvajtuese’:
Po ju shkruaj për shqetësimin e shkaktuar…menjëherë kërkova nga FSK informacione të hollësishme…lokacioni qe përmendur gabimisht si Bistricë, Komuna e Mitrovicës, gjë që kontribuoi në konfuzion dhe gabim…
Pak pauzë…Maqedonci në publik thotë “një njësi e FSK-së” a në letrën drejtuar KFOR-it thotë “Togë Ceremoniale” – çka shënon edhe një hile ndaj publikut.
Ju sigiroj se prania e Togës Ceremoniale në aktivitetin në Bistricë…për shkak të një keqkoordinimi të brendshëm dhe ishte krejtësisht e paqëllimshme…
Ju siguroj se kam ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme…masa adekuate për të parandaluar gabime të ngjashme në të ardhmen…
Dhe Rizotimi: FSK në veri veç me miratim paraprak të KFOR-it.
…shpresoj kjo të mos dobësojë besimin tonë të ndërsjelllë dhe të mos ndikojë në bashkëpunimin tonë të shkëkqyer…pranoni konsideratën time më të lartë…
Ejup Maqedonci këtë e quan “Sqarim” – por, a duket e tillë?
Vetëvendosja i do 500 mijë vota me tregim se tash ka sovranitet dhe integritet territorial “cep më cep”.