18 dhjetori që nga viti 2000 u vendos të jetë dita ndërkombëtare e emigrantëve nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Më 4 dhjetor të vitit 2000 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e mori vendimin për të vlerësuar mundin dhe përpjekjet e të pambrojturve, duke marrë parasysh numrin e madh në rritje të tyre në mbarë botën.
21 vite më pas OKB konsideron se një gamë e gjerë faktorësh vazhdojnë të përcaktojnë lëvizjen e njerëzve, transmeton Klankosova.tv.
“Ato janë ose lëvizje vullnetare ose të detyruara si rezultat i rritjes së përmasave dhe shpeshtësisë së fatkeqësive, sfidave ekonomike dhe varfërisë ekstreme ose konfliktit. Përafërsisht 281 milionë njerëz ishin emigrantë ndërkombëtarë në vitin 2020, duke përfaqësuar 3.6 për qind të popullsisë globale.” thuhet në faqen e OKB-së.
Tutje thuhet se të gjitha këto do të ndikojnë ndjeshëm në karakteristikat dhe shkallën e migrimit në të ardhmen. Gjithashtu besohet se do të përcaktojnë strategjitë dhe politikat që vendet duhet të zhvillojnë për të shfrytëzuar potencialin e migracionit duke garantuar mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut të migrantëve.
“Emigrantët kontribuojnë me njohuritë, rrjetet dhe aftësitë e tyre për të ndërtuar komunitete më të forta dhe më elastike. Peizazhi global social dhe ekonomik mund të formësohet përmes vendimeve me ndikim për të adresuar sfidat dhe mundësitë e paraqitura nga lëvizshmëria globale dhe njerëzit në lëvizje.”
Shtetet anëtare të OKB-së, organizatat ndërqeveritare dhe joqeveritare janë të ftuar të mbajnë Ditën Ndërkombëtare të emigrantëve nëpërmjet shpërndarjes së informacionit mbi të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të emigrantëve, përmes ndarjes së përvojave dhe hartimin e veprimeve për të siguruar mbrojtjen e tyre.