Sot dhe nesër, rekrutët e Forcës së Sigurisë së Kosovës do t’i nënshtrohen testimit të inteligjencës dhe njohurive të përgjithshme, shkruan Gazeta Sinjali.
Ministria e Mbrojtjes dhe Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se testimi do të mbahet në pesë kazerma të qyteteve të ndryshme.
“Ministria e Mbrojtjes njofton kandidatët për rekrut (OR-1) në Forcën e Sigurisë së Kosovës, se Bordi Përzgjedhës ka vendosur që testi i Inteligjencës dhe Njohurive të Përgjithshme të mbahet më 18.03.2021 dhe 19.03.2021 në pesë kazermat e FSK-së: ‘Adem Jashari’ – Prishtinë, ‘Skënderbeu’ – Ferizaj, ‘Ushtarët e NATO-s’ – Istog, ‘Minatori’ – Mitrovicë dhe kazerma ‘New Born’ – Gjilan”, thuhet në njoftim.
Në ditën e testimit kandidatët duhet të kenë me vete fletëdëshminë e aplikimit (numri unifikues personal), letërnjoftimin ose pasaportën si dokument identifikimi.
Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar nga kandidatët të paraqiten 15 minuta para kohës së orarit të publikuar, të kenë maska mbrojtëse kundër COVID-19 dhe se gjatë testimit nuk lejohen telefonat, orët e mençura, kalkulatorët dhe çdo pajisje tjetër digjitale./Drenica.Live/