Afati për marrjen e postit të ri të kryetarit të komunës për kandidatët e sapozgjedhur nga rezultatet e zgjedhjeve lokale është dy javë pas çertifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së.
Kështu figuron në pikën 3 të Nenit 42 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, në të cilin thuhet se “Mbledhja inauguruese e kuvendit të komunës thirret nga kryetari (aty ku është zgjedhur) brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”.
Po ashtu, pika tjetër thotë se “Nëse kryesuesi i Kuvendit të Komunës nuk e thërret mbledhjen sipas detyrës në paragrafin 2 të këtij neni, mbledhja inauguruese e kuvendit të komunës mund të thirret nga anëtari më i vjetër i zgjedhur i 14 kuvedit komunal, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga data kur kryetari është dashur të thirrë mbledhjen inauguruese të kuvendit të komunës”.
Gjithashtu neni 57 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, tregon se nëse kryetari i zgjedhur nuk arrin të betohet brenda një muaji nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve atëherë i njëjti e humb mandatin, shkruan lajmi.net.
“Kryetari që dështon ta japë betimin brenda një (1) muaji nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve e humbet mandatin”, thuhet në Ligj.
Përgjatë ditës së martë pritet të bëhet certifikimi i rezultateve përfundimtare të raundit të dytë të 20 prej 21 komunave që iu janë nënshtruar balotazhit, me përjashtim të Komunës së Dragashit. Kjo, pasi që në këtë komunë PZAP-ja ka anuluar të gjitha votat e ardhura me postë nga diaspora, me kërkesë të PDK-së atje, duke e cilësuar si shtrembërim të vullnetit qytetar. Lidhur me këtë, pritet edhe opinion i Gjykatës Supreme, pas ankesës së LDK-së që u adresua kundër vendimit të PZAP-së.
Në komunat të cilat pritet të bëhet certifikimi i zgjedhjeve që kanë shkuar në raundin e dytë janë edhe Prishtina e Prizreni, të humbura me rezultat të ngushtë nga kandidatët e VV-së në komunat respective.
Ndërkaq, rezultati përfundimtar i raundit të parë të zgjedhjeve është bërë më 29 tetor nga ana e KQZ-së.
Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, PDK-ja është shpallur partia me më së shumti komuna të fituara, pa përfshirë Dragashin.
Komunat e fituara dhe partitë politike që i fituan ato:
PDK: Mitrovicë, Skenderaj, Ferizaj, Hani i Elezit, Vushtrri, Kaçanik, Prizren, Drenas;
LDK: Prishtinë, Pejë, Lipjan, Istog, Viti, Junik, Fushë-Kosovë;
AAK: Deçan, Suharekë, Gjakovë, Klinë, Rahovec;
LVV: Kamenicë, Shtime, Gjilan, Podujevë;
Lista Serbe: Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Kllokot;
Xhafer Gashi: Obiliq;
KDTP: Mamushë dhe
Nisma: Malishevë. L.N