I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka thënë të enjten se në dy ditët e fundit ka biseduar në Paris dhe Berlin për mënyrat se si mund të avancojë procesi i dialogut.
“Mirënjohës për mbështetjen e tyre të plotë për përpjekjet e mia”, ka thënë Sorensen përmes një postimi në X – dikur Twitter, teksa ka publikuar fotografi me zyrtarë të të dyja shteteve.
Deklarata e tij ka ardhur në ditën kur kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka thënë se ka dëgjuar kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes dy vendeve, dhe ka paralajmëruar që së bashku me Sorensenin do të analizojnë mundësi si mund të bëhet proces funksional.
“Sapo kemi emëruar një përfaqësues të posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe, unë do të ulem me të në mars, për të parë se si do të vazhdojmë me këtë”, tha Kallas në një bisedë të përbashkët me grupin “Redaksia Evropiane”, ku bëjnë pjesë rreth 20 agjenci evropiane të lajmeve.
Një tjetër argument që është përmendur si pozitiv nga zyrtarët në Prishtinë është se ai është nga Danimarka, vend që njeh shtetësinë e Kosovës, dhe se do të ketë qasje të barabartë në dialog.
Kallas e përsëriti të enjten se normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore është i nevojshëm për Kosovën dhe Serbinë për të ecur përpara.
“Nëse ato mendojnë se mund të lëvizin në rrugëtimin evropian pa normalizimin e marrëdhënieve, atëherë unë mendoj se një gjë e tillë nuk është e mundur”, ka thënë ajo.