El Clasico merr skenën këtë të diel. Barcelona dhe Real Madrid, dy rivalët e përjetshëm zbresin në fushën e “Spotify Camp Nou” për të matur forcat në javën e 26-të të La Liga-s. Katalanasit e shohin veten 9 pikë mbi “Los Blancos”.
Në fazën e parë, skuadra e Ancelotit arriti që të fitonte me rezultatin 3-1, por në vijimin e kampionatit skuadra e Xavit ka bërë më pak gabime, duke marrë arratinë në krye të klasifikimit.
Barcelona do të kërkojë që të “vrasë” kampionatin, pasi e di mirë që një fitore ndaj rivalëve më të afërt do ta bënte diferencën me vendin e dytë shumë të madhe. Për të mos thënë të parikuperushme për “Los Blancos”.
Reali në krahun tjetër, do e bënte garën për titullin maksimalisht interesante nëse do të arrinte të merrte maksimumin e pikëve në transfertë.
Benzema ka patur shqetësime në ditët e fundit duke qenë në diskutim për aktivizimin. Te Barça, Dembele dhe Pedri janë ata që nuk e lënë të qetë Xavin. Sytë do të jenë dhe tek Lewandowski, i cili është shënuesi më i mirë i kampionatit me 15 gola.
Por në javët e fundit, bomberi polak e ka humbur shkëlqimin e tij, por do të tentojë ta rigjetë ritmin dhe festën e golit ndaj Realit. Sulmi më i mirë do të jetë përballë mbrojtjes më të mirë.