Sophie Boisvert Levesque ishte ushtare kanadeze që shërbeu në Kosovë gjatë luftës së fundit, megjithatë, për të Kosova u bë shumë më tepër se një zonë lufte, kurse kosovarët ishin shumë më tepër se refugjatë e të përndjekur.
Ajo tregon në detaje përjetimet e saj gjatë dhe pas mbarimit të misionit të saj në Kosovë dhe për mënyrën se si fëmijët kosovarë e ndryshuan jetën e saj përgjithmonë.
Më poshtë gjeni rrëfimin e saj të plotë:
“I jam bashkuar Ushtrisë Kanadeze në vitin 1990, kur isha 18 vjeçare, me pritshmërinë që një ditë do të dërgohesha diku në botë për të ndihmuar. Zgjodha të krijoja familje në një moshë të hershme, vajzën e linda kur isha në moshën 20 vjeçare de djalin tim të parë në moshën 23 vjeçare. Prandaj, nuk pata mundësi të shërbeja diku para se të bashkohesha në “408 Tactical Helicopter Squadron in Edmonton”, Alberta, Kanada.
Në fillim të vitit 1999 na thanë të bëheshim gati sepse do të vendoseshim në Kosovë. Kushërira ime erdhi që të kujdesej për fëmijët e mi dhe unë atë kohë fola me Majorin për t’u siguruar se do të vija.
Kjo ishte ëndrra ime dhe me lajmet që na vinin nga Kosova, e dija se ishte koha të ndihmonim.
Supozohej që të niseshim në fund të qershorit të vitit 1999, por për shkak të zgjedhjeve në Greqi (atje do të merrnim kamionin tonë dhe pajisjet tjera), u detyruam të niseshim më herët. Përfundimisht e lamë Greqinë më 8 qershor.
Atë kohë, për mua çdo gjë ishte, aksion, ngazëllim dhe aventurë. Kur vjen nga një vend i qetë dhe nuk ke pasur mundësi ta shohësh asnjëherë luftën në sy, të duket sikur diçka e re.
Kur mbërritëm në Greqi dëshiruan që ne të largoheshim që nga dita e parë. Nuk na deshën atje gjatë zgjedhjeve, prandaj i shkarkuam pajisjet dhe prisnim anijet që të arrinin me kamionët tanë. Posa i morëm të gjitha gjërat, u vendosëm në Maqedoni. Derisa po linim Greqinë, kishte grafitë kudo, në të cilët shkruante: “Kthehuni në shtëpinë tuaj, vrasës”, “U kthefshi në arkivole”.
Qëndruam në Maqedoni për disa javë përpara se të vendoseshim në Kosovë. Nuk më kujtohet data e saktë, por nuk do ta harroj kurrë se çfarë kam parë atë ditë. Të shohësh refugjatët dhe shkatërrimet në lajme është gjë e keqe, por ta shohësh atë me sytë e tu është e tmerrshme. U ndamë në grupe. Të fluturoja mbi tërë ato shkatërrime ishte zemërthyese. Burra, gra e fëmijë që lëviznin nëpër kampet e refugjatëve. Tenda të bardha të vogla, varre masive, shtëpi të djegura…. Për mua si kanadeze, më mbeti e shkruar në zemër përgjithmonë. E kjo ishte vetëm dita e parë.
U vendosëm në Kosovë, afër Gllogocit (tash Drenas), në një kamp 1 kilometër katrorë, që do të bëhej shtëpia jonë për pesë muajt e ardhshëm gjatë shërbimit tonë atje. Posa aterruam, fëmijët u afruan afër telave dhe na kërkuan ushqim. Një prej nesh kishte bonbone dhe çokolata dhe ua dha atyre. Një nga fëmijët më pyeti se pse nuk po buzëqeshja. Përgjigja ime ishte e shkurtë dhe e thjeshtë: “Më jep pak kohë derisa ta përpijë tërë këtë gjendje”. Instinkti i nënës që ndodhej brenda meje u lëndua shumë. Atë botë, e ardhmja ime po ndryshonte.