Deputetët e Kosovës përveç privilegjeve që i kanë në mëditje, gëzojnë edhe subvencionim nga shteti për shpenzimet e karburanteve kur shkojnë në seanca apo komisione. Gjatë ditës së sotme është publikuar një tabelë, ku shihet se në dy muaj, ligjvënësit kanë marrë qindra euro nga taksapaguesit për rrugën e bërë deri në punë. Disa prej tyre thonë janë treguar kursimtarë, e disa mendojnë se një çështje e tillë nuk duhet të bëhet aq e madhe në opinionin publik.
Deputetja e Unionit Socialdemokrat, Duda Balje, bashkë me kolegun e saj nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, prijnë për nga kompensimi që iu është bërë nga buxheti i Kosovës.
Vetëm për muajin nëntor dhe dhjetor, të vitit të kaluar, kanë marrë nga 870 euro, për të shkuar në Kuvend.
Balje tregon se i shpenzon çdo ditë nga 25 euro nga Prizreni për në kryeqytet dhe anasjelltas.
Ajo në një prononcim për mediumin online Paparaci, pohon se është në Kuvend çdo ditë, qoftë për seancë apo për komision. Shton se kompensimi i karburanteve është e paraparë me rregullore.
“Unë jetoj 70 km larg prej Prishtinës. Unë udhëtoj me veturë vetë, unë i qes 25 euro çdo ditë kur shkoj në Prishtinë. Unë i shpenzoj këto, s’kam përfituar kurrgjë. Unë jam në Kuvend çdo ditë kur kam komision apo seancë. Unë nuk po shkoj në Prishtinë kur nuk kam punë”.
“Ne çdo dy ditë kemi komision dhe udhëtojmë shumë shpesh. Kjo është në bazë të rregullores dhe për secilin deputet që udhëton ka pagesë. Ka deputetë që janë më aktiv dhe ka që nuk punojnë aq shumë. Unë jam edhe në komisionin për buxhet edhe për të drejtat e njeriut. Kam tri arsyeje se pse me shku në Prishtinë. Unë udhëtoj me veturën time dhe unë shpenzoj përafërsisht 25 euro çdo ditë për këtë (karburante) në dy drejtime. Rregullorja duhet të ndryshohet në disa pika. Kjo nuk është hera e parë, unë nuk jam duke shkuar jashtë shtetit, por në shtet. Është e paraparë me rregullore”, tha Balje.
Kolegia e kësaj të fundit, Albana Bytyqi, që mori 780 euro nga shteti, mendon se nuk duhet të bëhet kaq e madhe kjo çështje për kompensimin e derivateve për deputetët. Madje, thotë kuvendarët nuk mund të vdesin nga uria, teksa ka treguar se ajo shpenzon të paktën 25 euro për çdo ditë për gjëra elementare, duke përfshirë edhe ushqimin.
“Kerrin e kemi të përbashkët me burrin. Nuk e di sa herë na ka ra me ardhë, por kemi ardhur shumë shpesh. Gjithmonë ka qenë kjo procedurë. Nuk e di pse është bërë kjo kaq e madhe. Përderisa jam në komisione, kam shumë agjendë dhe më ka ra gati çdo ditë në Kuvend. Unë nuk jam as për as kundër, përderisa ka shkuar kjo procedurë, në momentin që vendoset kjo me u heqë, hiqet”.
“Nuk e di, nuk po e shoh pse me bë kaq alarmante, s’po e shoh të arsyeshme. Pse nuk e qitën për një muaj, po për dy muaj që me u dokë shifrat më alarmante. Unë nën 25 euro ditën psh s’muj, më së paku 25 euro, benzina, rruga, me hëngër me pi, na s’mundemi me cofë urie. Në momentin që vendoset diçka nga Kuvendi, unë nuk jam kundër, për me u heqë këto shpenzime. Se di, s’kam opinion tamon siç duhet pasi unë jam deputete e re dhe qyshdo që e kanë pa të arsyeshme ka shkuar kjo procedurë”, shprehet Bytyqi e AAK-së, për Paparacin.
Kurse, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, nuk është në dijeni se si qëndrojnë procedurat e udhëtimit që kompensohen nga buxheti i vendit. Gjithsesi, 750 euro është shifra që shteti ia ka kompensuar atij.
“Nuk e di qysh janë ato procedurat e udhëtimit. Unë udhëtoj me makinën time. Unë s’i kam parë (shpenzimet). Idenë nuk e kam pasi s’e kam parë, s’po di qysh me komentu. Kjo është punë e zyrës përkatëse (Kuvendit). Unë udhëtoj përditë me kerr temin, shkoj në Gjakovë. Jam kryetar i degës së PDK-së në Gjakovë dhe e kam obligim me u marrë edhe me Gjakovën edhe në Parlament, sa herë që ka seanca. Deri më sot asnjëherë s’e kam përdorur ndonjë makinë zyrtare të Kuvendit. Unë jetoj edhe në Prishtinë edhe në Gjakovë. Jam munduar me qenë i rregullt në seanca dhe komisione, veç nëse kam qenë jashtë shtetit”, theksoi Beqa për mediumin.
Ndryshe nga ky i fundit, mendon bashkëpartiaku i tij, Mërgim Lushtaku. Ndonëse është subvencionuar nga shteti për plotë 540 euro, thotë se është treguar kursimtar në këtë aspekt.
“Zyra e Kuvendit e bën llogarinë për këto kalkulime rreth deputetëve. Unë herë banoj në Prishtinë herë në Skenderaj. Rregullat janë të Kuvendit. Unë jam në dy komisione, plus seancat i kemi pasur më të shpeshta. E kemi pasur një angazhim më të madh. 45 kilometra janë prej Skenderajt në Prishtinë, dhe janë shpenzime që planifikohen për çdo deputet. Dikush është në dy komisione, dikush në një. Gjakovarët zakonisht kursejnë më shumë, por kësaj radhe, paskam kursyer unë”, deklaroi Lushtaku për Paparacin.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e pushtetit, Agon Batusha, lidhur me këto shpenzime të deputetëve, është shprehur se nesër Grupi Parlamentar i LVV-së do të dalë me një qëndrim rreth kësaj. Sidoqoftë, ligjvënësi nga Gjakova ka marrë 570 euro nga buxheti i shtetit, për udhëtimet në punë.
Sipas tij, rregullorja për kompensimin e karburanteve duhet të ndryshohet, por kjo duhet të bëhet vetëm nëse ka unitet mes partive politike në Parlamentin e Kosovës.
“Po e pashë listën. Nesër ka me dalë GP i VV-së me një komunikatë ose qëndrim. Kjo është rregullore, që s’di as vetë kur është miratuar. Ne nuk kemi dorë aty, vetëm e tregojmë në fillim kur bëhemi deputetë adresën se ku banojmë. Llogaritë e Kuvendit qysh bëhen nuk e di”.
“Unë shpenzoj më shumë karburant, por llogaritë i bën sekretaria me siguri, në bazë të kilometrave. Unë personalisht jam që të ndryshohet rregullorja, por duhet të ketë unitet apo 2/3 të votave që të hiqet kjo (rregullorja për kompensimin e karburanteve). Lëvizja e ka pasur qëndrimin për këto dhe unë i qëndroj asaj”, tha Batusha për Paparacin.
Të enjten pati kritika në drejtim të deputetëve të Parlamentit, lidhur me këto shpenzime.
Pjesëtarë të ndryshëm nga Shoqëria Civile mendojnë se subvencionimi i ligjvënësve nuk duhet të ndodhë, duke thënë se një gjë e tillë është e padrejtë, duke pasur parasysh pagën e këtyre të fundit. /Paparaci.com/