Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka gënjyer publikisht në një intervistë. Ky nuk është thelbi i skandalit. Thelbi është se ai ka përfshirë një shtet mik të Kosovës, duke gënjyer në llogari të tyre, çka ka çuar në reagimin e këtij shteti, për ta përgënjeshtruar ministrin në detyrë Ejup Maqedonci.
“Kemi një konfirmim nga Bullgaria, e cila ka diskutuar më herët me ministrin kroat për mundësinë që t’i bashkëngjitet kësaj marrëveshjeje trilaterale, mirëpo besoj plotësisht që edhe vende të tjera të rajonit, sidomos ato që ndajnë vlerat e përbashkëta me ne dhe që ndajnë normalisht edhe interesa të përbashkëta, sepse nuk mjaftojnë vetëm vlerat, do të bashkëngjiten në këtë marrëveshje, le të themi në këtë deklaratë, e cila, edhe njëherë po e theksoj, gjithmonë synim ka paqen, stabilitetin dhe sigurinë” – ka thënë Maqedonci në një intervistë për media.
Reagimi i Bullgarisë
“Bullgaria është në dijeni të nismës së Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës dhe po analizon me kujdes tekstin e Deklaratës së Përbashkët të nënshkruar nga ministrat e mbrojtjes të tre vendeve në Tiranë më 18 mars 2025. Është i pasaktë informacioni publik që sugjeron se Bullgaria ka shprehur interes jozyrtar për t’iu bashkuar deklaratës.” – thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, reagimi vijon kështu, “Ministria e Jashtme ka marrë një kopje zyrtare të dokumentit të nënshkruar përmes një note verbale nga Ambasada e Shqipërisë në Sofje më 25 mars. Në asnjë moment nuk është kontaktuar apo konsultuar Ministria apo pala bullgare në lidhje me iniciativën nga propozuesit e saj dhe as nuk është bërë ndonjë ftesë zyrtare për anëtarësim”.
Ministri në detyrë, Ejup Maqedonci muaj më parë deklaronte se Kosova do të bëhet me fabrikë municioni, që nuk e ka as Franca.