Pas raportimit për vjedhjen e armës brenda Stacionit Policor në Mitrovicë, zinxhiri komandues ka ndërmarrë veprimet e para konkrete ndaj zyrtarëve përgjegjës për shkeljet e rënda të protokolleve të sigurisë.
Burime Policisë së Kosovës konfirmojnë për Sinjalin se është marrë masa e suspendimit për 72 orë ndaj dy zyrtarëve të përfshirë në rast: hetueses Fikrije Imeri dhe hetuesit Shkëlqim Osmani.
Suspendimi është vendosur për t’i hapur rrugë procedurës disiplinore, pas hetimeve të brendshme që po zhvillohen për shkelje të rëndë të procedurave standarde operative (PSO).
Sipas hetimeve fillestare, hetuesi Shkëlqim Osmani kishte lënë të dyshuarin vetëm në zyrë për disa minuta, ndërsa hetuesja Fikrije Imeri, e cila e përdorte më herët atë zyrë, kishte lënë revolen e saj në çantën personale, duke dalë jashtë pa e siguruar armën sipas detyrimit ligjor.
I dyshuari e shfrytëzoi mungesën e mbikëqyrjes dhe e mori armën, të cilën e fshehu në trup. Më pas u transferua në një stacion tjetër policor në Mitrovicë të Veriut, ku gjatë kontrollit u zbulua arma – shumë vonë dhe tepër rrezikshëm.
Ky suspendim është hapi i parë institucional ndaj një rasti që ka ekspozuar dështime të thella brenda sistemit të sigurisë. / Gazeta Papirus/