Emisioni “Tarča”, ose kthyer në shqip “Objektivi” që transmetohet në “Prime Time” të televizionit shtetëror slloven, ka bërë jehonë gjithandej vendit gjatë së enjtes mbrëma.
Temë diskutimi ishte GEN-i, gjegjësisht operacionet e kësaj kompanie në Ballkan, me atë më të përfolurën muajve të fundit, në Prishtinë.
Panelistë ishin Maks Helbl kreu i bordit të GEN-it, Zijad Beçiroviç , drejtori i IFIMES, lobisti Miloš Čirič dhe ish-drejtoresha e Zyrës për Parandalimin e Pastrimit të Parave Klaudija Stroligo. Interesant është fakti se kryeministri aktual, Robert Golob ishte gjithashtu i ftuar, por nuk mori pjesë në emisionin e drejtuar nga Erika Žnidaršič.
Biseda filloi me faktin se në zyrën e GEN-it në kryeqytetin kosovar nuk është askush. Siç thuhet, ekipi i emisionit ka pyetur në adresën me numër 14 të rrugës “Gustav Majer” në Prishtinë, por nuk ka gjetur asgjë.
Madje, aty gazetari gjeti një fotokopje, pronari i së cilës iu drejtua: “GEN nuk është këtu. Nuk është këtu”.
Tutje, raportimi vazhdoi me faktin se vetëm një kilometër larg nga aty, është qendra e regjistrimit të bizneseve. Kompania në pronësi të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci dhe figurës së njohur në Slloveni, MB Consulting u bë pjesë e ballinave të mediave, pak para zgjedhjeve parlamentare, kur u publikuan transaksionet financiare.
Por, “kleçka” është dikah tjetër. Paratë Berishajt i kanë ardhur nga GEN-i në Beograd, që ka vetëm katër punëtorë të regjistruar e miliona qarkullim. Diskrepancë e theksuar mes njërës dhe tjetrës, gjë që ngjall dyshime gjithsesi.
Më pas u diskutuan edhe tërheqjet e Berishajt. Në “Objektiv” u përmend edhe fakti se Berishaj kishte bërë një transaksion prej 8500 eurosh për një kompani “Myloja”, ku pronarë ishin edhe sllovenët Anton Černe dhe Janez Bukovnik, të dy këta ish-drejtues të Lotarisë Sportive Sllovene.
Jo vetëm kaq. Një tjetër slloven doli në pah. Bëhet fjalë për Erazem B. Pintar. Me 85% të aksioneve, Pintar është pronar i dikur kompanisë së Berishajt, Zaslon Kosova.
Në një bisedë telefonike për TV Slovenia, ai tha se nuk e mban mend të ketë hapur kompani në Kosovë, ndërsa shtoi se vetëm një herë e kishte takuar Berishajn.
Ekipi i emisionit kishte tentuar të flasë edhe me Berishajn, por pa arritur fare te ai. Mesazhe telefonike, thirrje, posta elektronike, të dërguara edhe në zyrën e ambasadës në Kroaci, por sërish asnjë përgjigje.
Raportimet e Planet TV për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishajt në skandalin e madh financiar, ishin dërguar në Gjykatë për shpifje nga Berishaj.
Pas vendimit të shkallës së parë, edhe shkalla e dytë e Gjykatës në Slloveni ia ka refuzuar ankesën ambasadorit të Kosovës në Kroaci.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeredaktori i Planet TV, Mirko Mayer, i cili e ka publikuar edhe vendimin.
“Kam dëgjuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një deklaratë dhe ka shprehur dëshirën që drejtësia do të thotë fjalën e saj në rastin e Berishajt kundër Planet TV. E njoftoi se kjo dëshirë i është plotësuar dhe drejtësia tashmë ka vendosur. Rasti i hapur nga Berishaj është refuzuar nga gjykatë në shkallën e dytë”, ka shkruar Mayer.
Martin Berishaj kishte pretenduar se raportimet për përfshirjen e tij në këtë skandal ishin shpifje. Megjithatë, është hera e dytë që gjykata ia refuzon ankesën ambasadorit Berishaj.
Këtu duhet përmendur faktin se në të katër shtetet ku është i përfshirë GEN-i po zhvillohen hetime, por “Objektivi” nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Serbia e Kosova.
Më poshtë edhe përgjigjet e secilit shtet veç e veç.
Serbi – Agjencia për Parandalimin e Pastrimit të Parave nuk i komenton rastet, prokuroria nuk merret me rastin, policia nuk ka nisur hetime
Mali i Zi – Institucionet kompetente nuk kanë dërguar përgjigje.
Shqipëri – Njësia kundër pastrimit të parave nuk komenton, policia dhe prokuroria heshtin.
Kosovë – Zyra nuk jep deklarata, policia dhe prokuroria gjithashtu nuk janë përgjigjur. Mirëpo, komisioni i Kosovës kundër korrupsionit ka bërë kallëzim në prokurorinë vendore kundër Martin Berishaj për fshehje të pasurisë.