Një serë skandalesh e ka karakterizuar qeverisjen aktuale të kryeministrit Albin Kurti vetëm gjatë javëve të fundit.
Prokuroria Speciale më 18 gusht ka bastisur zyrat e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për nisjen e hetimeve të aferës për rezervat shtetërore. Dy zyrtarë të kësaj ministrie janë arrestuar si dhe një biznesmen i cili dyshohet të jetë njeri i afërt i kryeministrit Albin Kurti. Drejtorit të Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, drejtorit të Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica dhe pronarit të restorantit “Bukë e Zemër”, Ridvan Muharremi Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka shqiptuar 30 ditë paraburgim.
Lidhur me skandalin e rezervave shtetërore ku dyshohet që është bërë keqpërdorim prej 600 mijë eurosh, partitë opozitare (PDK, LDK e AAK) kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së MINT, Rozeta Hajdari.
Por ministrja Hajdari derisa u ka dhënë mbështetje të plotë zyrtarëve të arrestuar të ministrisë së saj, ka thënë se nuk sheh “asnjë arsye për të dhënë dorëheqje”.
“Sa i përket dorëheqjes sime, unë s’e shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje dhe të them me përgjegjësi e siguri të plotë, dhe nuk shoh asnjë arsye e as thjesht dyshim te zyrtarët që janë të ndalur sot”, tha ministrja në konferencën e thirrur për media më 18 gusht.
Kanë kaluar vetëm katër ditë nga kjo ngjarje, kur një tjetër “skandal” shpërtheu në Kosovë, kur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagvaci bëri me dije se MAShT ka dështuar që të bëjë marrëveshje me shtëpitë botuese për librat shkollorë, me arsyetimin se shtëpitë botuese “i kishin fryrë” çmimet.
Lidhur me këtë kanë reaguar dy shtëpitë botuese në Kosovë “Dukagjini” dhe “Luarasi” të cilat kanë përgënjeshtruar ministren Nagavci, lidhur me çmimin e librave shkollorë.
Shtëpia botuese “Dukagjini” gjatë një reagimi të hënën ka thënë se këtë vit kishte oferuar për 4 % më lirë se në vitin paraprak. (2022). Ndërsa nga “Luarasi” thanë që s’kanë aplikuar fare në tender.
Ministrja Nagavci tha se në MASHT kanë shqyrtuar mundësinë që librat për vitin e ri shkollor për nxënësit parauniversitarë të blihen nga prindërit dhe më pas atyre t’u transferohen paratë.
Kjo ide u prit me reagime të shumta nga partitë opozitare në vend. Lidhja Demokratik e Kosovës në një konferencë për media të martën, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.
LDK-ja ka kërkuar dorëheqjen e ministres Arbërie Nagavci shkaku i asaj që e ka cilësuar si “keqmenaxhim të vitit shkollor”.
“Kosova nuk e meriton një ministre që ka dështuar në çdo nivel të menaxhojë me arsimin dhe përfundimisht është dorëzuar duke ia kaluar përgjegjësinë prindërve”, tha Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku.
Ndërkohë, në një tjetër konferencë për media, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se ky plan i MASHTI-t do të provokojë greva në arsim.
“Kjo situatë mund të përfundojë vetëm me shkarkimin e kësaj qeverie. Kjo qeveri është duke e dëmtuar – si në rrafshin ndërkombëtar, të brendshëm, politik dhe ekonomik – Kosovën”, tha Tahiri.
Ai kërkoi rrëzimin e Qeverisë së Kosovës përmes një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës në fillim të shtatorit, duke përmendur si arsye edhe dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore.