Konkursi i 16 prillit të 2024-ës në Korporatën Energjetike të Kosovës, u hap e u mbyll, por tek në fundvit u zbardhën dallaveret që e kishin kapluar atë.
Kiks Kosova që nga gushti i 2024-ës vuri llupën e tij mbi këtë konkurs dhe dyshimet për punësim me të njohshëm u vërtetuan në dhjetor të 2024-ës.
Fjala është për konkursin e hapur për 180 persona për dy pozita pune, 149 Teknikë të Elektroenergjetikës dhe 31 Teknikë të Elektronikës në Komunën e Obiliqit.
Sahadete Fazliu ishte kandidatja për pozitën “Teknik i Elektroenergjetikës”, që asokohe kishte ngritur zërin për padrejtësitë që ishin bërë në konkurs.
Fazliu ndonëse kishte dhënë intervistë për emisionin lidhur me të gjitha dallaveret për të cilat ajo pretendoi se iu bënë në atë konkurs, gati një vit pas, ajo refuzoi të fliste për rjedhshmërinë e rastit.
Pas intervistës së parë të saj për Kiksin, duket se Fazliu u përjashtua nga vendi i saj i punës në kompaninë e pastrimit e kontraktuar për mirëmbajtjen e objektit të KEK-ut.
Fazliu, me 19 gusht të 2024-ës kishte dërguar ankesë në Komisionin për Ankesa në KEK, ku përveç ankesave të saj në lidhje me pikët e saj përfundimtare, përmendi edhe pretendimet e saj që anëtarja e komisionit pranues, njëherësh Kryeinxhinere për Matje, Rregullim dhe Komandim Emine Gllareva favorizoi mbesën e kushëririn e saj.
Por në përgjigjen që mori nga Divizioni i Burimeve njerëzore, i thanë që ata nuk ishin kompetentë për atë pjesë.
Për akuzat e Sahadetës në lidhje me favorizimin e dy kandidatëve fitues, të afërm të Emine Gllarevës, Kiksi kërkoi përmes emailit përgjigje nga Korporata Energjetike e Kosovës, mirëpo nga ky institucion vendosën të injoronin totalisht pyetjet tona specifike, duke u përgjigjur vetëm për konkursin dhe ecurinë e tij.
Por cila është në të vërtetë lidhja ndërmjet kandidatëve fitues të pozitave në KEK, Ardita Preniqit dhe Shefki Gllarevës me anëtaren e komisionit, Emine Gllarevën?
Sipas burimeve të Kiks Kosovës, Emine Gllareva dhe Shefki Gllareva janë të së njëjtës familje dhe konkretisht gjyshi i Shefkiut dhe babai i Emines janë djem të axhës mes vete. Lidhja e tyre familjare vërehet edhe përmes komenteve në rrjete sociale.
Pas raportimit të Kiks Kosovës në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për të vërtetuar se a ka në të vërtetë konflikt interesi në rastin e Arditës dhe Shefkiut, nga kjo Agjenci konfirmuan që konflikt interesi ekziston.
Bazuar në vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, afërsia familjare ndërmjet Shefki Gllarevës dhe Emine Gllarevës shkon përtej shkallës së katërt në vijë të tërthortë të gjakut dhe kësisoj nuk konsiderohet Shefkiu personi i afërm me Eminën.
Ndërsa për Ardita Preniqin, thuhej që është mbesa e Emine Gllarevës, dhe kjo rezultoi të jetë e vërtetë.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit tha që ekziston konflikt interesi, ngase Ardita Preniqi është vajza e vëllait të Emine Gllarevës, shkalla e tretë në vijë të tërthortë të gjakut.
Por që në lidhje me këtë rast, Emine Gllareva kishte deklaruar që ato nuk e dinin që një situatë e tillë përbënte konflikt interesi.
Përfundimisht, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kërkoi nga KEK-u të marrë dy veprime: shfuqizimin e kontratës së punës së Ardita Preniqit dhe inicimin e procedurës disiplinore ndaj Emine Gllarevës, për shkeljet e dispozitave të Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit.
Kiks Kosova u interesua që të marrë përgjigje nga KEK në lidhje me këtë vendim, por përgjigje zyrtare deri në transmetimin e kësaj kronike nuk mori.
Megjithatë jo zyrtarisht Kiksi mësoi që një nga dy vendimet e Agjencisë është zbatuar dhe tjetri është ende në proces. /Klankosova.tv