Fabrika për përpunimin e mbetjeve shtazore, që i ka kushtuar Kosovës mbi 8 milionë euro, e që nuk ka punuar asnjë ditë, i është dhënë për shfrytëzim në mënyrë të dyshimtë një operatori ekonomik. Asetet milionëshe, pajisjet përcjellëse, kamionët, prona dhe makineria iu dhanë një kompanie ekonomike vetëm 5 ditë pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë shpalli tenderin – duke ngritur dyshime për një skemë korruptive, favorizimi dhe interesi.
Periskopi në vazhdim iu sjell detajet e këtij skandali.
Më 18 shtator 2024, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, që është funskionin nën ombrellën e Ministrisë së Bujqësisë shpalli thirrje publike për dhënien nën menaxhim të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore që taksapaguesve iu ka kushtuar mbi 8 milionë euro.
Në mënyrë skandaloze, vetëm 5 ditë më pas, më 23 shtator 2024, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve regjistrohet kompania që më vonë do të shpallej fituese e këtij tenderi: LIP KS & IT SH.P.K..
Një kompani e sapolindur, me kapital prej vetëm 10 mijë euro dhe vetëm 5 punëtorë, u zgjedh për të menaxhuar një investim prej miliona eurosh.
Nuk mbaron me kaq.
Nga të gjeturat dhe dokumentet që i ka siguruar Periskopi rezulton se pronarët kryesorë të konsorciumit janë Naser Maloku dhe kompania italiane LIPITALIA 2000 S.P.A, secili me nga 40% të aksioneve, ndërsa kompania e tretë është ARCHES BAU, me 20% të aksioneve.
Kapitali total i dy aksionarëve kryesorë është vetëm 8 mijë euro, një shumë qesharake në raport me përgjegjësinë që kanë marrë përsipër.
Ndërsa kompania ARCHES BAU ishte regjistruar vetëm një muaj para shpalljes së tenderit, më 8 gusht 2024, dhe aktiviteti i saj kryesor është ndërtimi i objekteve banesore, që nuk ka asnjë lidhje me përpunimin e mbetjeve shtazore.
Ndërkohë, kompania LIPITALIA 2000 S.P.A nuk figuron e regjistruar në Kosovë, të paktën sipas kërkimeve në ARBK, gjë që hedh dyshime serioze mbi fituesit e këtij projekti.
Periskopi e ka kontaktuar njërin nga pronarët Naser Malokun për ta pyetur për këtë kontratë që e kanë fituar , por ai është përgjigjur shkurt “Ani shkoni atje i keni të gjitha”.
Tenderi i fituar me shpejtësinë e dritës, kriteret e dyshimta dhe fshehja e marrëveshjes
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ka publikuar shpalljen në ueb-faqe për të gjithë operatorët ekonomik më datën më 18 shtator 2024, mirëpo emrin e fitues nuk e ka publikuar. Kjo agjenci nuk i ka përdorur kriteret e njëjta të transparencës edhe me fituesin, duke e mbajtur të fshehur nga opinioni.
Persikopi merr vesh nga burime brenda Ministrisë së Bujqësisë se kontrata është duke u mbajtur fshehur qëllimisht nga mediat dhe publiku, duke lindur dyshime për favorizime të një operatori ekonomik që është regjistruar në ARBK 5 ditë pasi ka dal shpallja publike.
Përkundër që në pëshkrim është kontratë publike, ajo nuk gjendet në webfaqen e Agjencisë e as Ministrisë së Bujqësisë.
As nuk dihet për sa vite është dhënë në shfrytëzim kjo fabrikë që i ka kushtuar shtetit mbi 8 milionë euro.
Në specifikat thuhet se fillimi do të jetë ditën e nënshkrimit të kontratës “dhe do të përfundoj varësisht prej viteve të cilat caktohen gjatë negocimit mes OE dhe AK”.
Një shpallje që kërkon një operator që ka punuar në këtë drejtim, por njëri nga aksionarët është kompani ndërtuese, duke rënë në kundërshtim me kriteret publike që i ka shpallur Agjencia e Ushqimit.
13-15 milionë euro kërkohet të kenë qarkullim në një vit fiskal për fituesin në fushën përkatëse, mirëpo është i themeluar vetëm 5 ditë pas shpalljes së thirrjes publike.
Sipas njoftimit, më 2 tetor të 2024 mbyllet afati për pranimit e ofertave dhe takimi për hapjen e tenderëve nuk do të jetë publik.
Me këtë jo transparencë përfundon thirrja publike, për tu dhënë në shfrytëzim një aset i Kosovës që ka kushtuar më shumë se 8 milionë euro dhe i është dhënë një operatori ekonomik që u regjistrua në ARBK 5 ditë pasi shteti shpalli tenderin.