Në Strasburg të Francës, të mërkurën është nënshkruar dekret-rregullorja për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportës që e lëshon për serbët e Kosovës, e ashtuquajtura Drejtoria koordinuese në Beograd.
Dekreti u nënshkrua nga presidentja e Parlamentit Evropian (PE), Roberta Metsola dhe ministri i Çështjeve Evropiane të Hungarisë, Janosh Boka, si përfaqësues i vendit që kryeson Këshillin e BE-së, raporton Klan Kosova.
Poseduesit e këtyre pasaportave nuk ishin përfshirë në liberalizimin e vizave që BE-ja e bëri me shtetin serb në vitin 2009.
Më 22 korrik të këtij viti, Këshilli i BE-së mori vendim për heqjen e vizave për ata që janë shtetas të Kosovës e që kanë pasaporta të Serbisë, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese, kjo duke i dhënë fund procesit legjislativ për këtë çështje në BE.
Më 23 korrik, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha mes tjerash se këtë vendim e konsiderojnë “të dëmshëm, të padrejtë dhe dekurajues për integrimin e serbëve”.
Demush Shasha, udhëheqës i Institutit të Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), tha për Klan Kosova se Komisioni Evropian, sipas tij, gaboi me vendimin që u nënshkrua këtë 18 shtator.
Sipas tij, pasaporta që e lëshon Serbia për serbët e Kosovës, nuk ka të ardhme dhe këtë sipas tij e dinë edhe vetë mbajtësit e këtij dokumenti udhëtues. /Klankosova.tv