Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, në emisionin “DPT te Fidani”në Klan Kosova, ka renditur disa arsye përse nuk po e votojnë kandidaten e propozuar për pozitën e kryekuvendares nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
Ai ka theksuar sjelljen e Haxhiut gjatë periudhës kur ajo ka qenë në opozitë, e cila, sipas tij, ka qenë shumë agresive dhe me fjalë të papërshtatshme për kundërshtarët politikë.
Po ashtu, Qalaj ka kritikuar Haxhiun për iniciativën e saj që ka çuar në zvogëlimin e fondeve për mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, njofton Klankosova.tv.
“Sjellja e saj që nga koha kur ka qenë në opozitë ka qenë shumë agresive dhe me fjalë nga më banalet ndaj kundërshtarëve të saj politikë. Ju e dini sjelljen e saj ndaj kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, z. Kadri Veseli. Një tjetër barrierë e madhe është çështja e zvogëlimit të fondeve për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë. Ajo ka qenë iniciatore që këto fonde të zvogëlohen dhe kjo ka dëmtuar shumë mbrojtjen e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit”, deklaroi Qalaj, transmeton Klankosova.tv.
Ndiqni deklaratën e plotë, në videon vijuese: