Njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, ka folur për IndeksOnline rreth situatës në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova ka përcaktuar rrugëtimin politik pro perëndimor, dhe se ky rrugëtim është i përbashkët dhe i pandashëm.
‘’Kosova politike ka përcaktuar rrugëtimin e saj politikë pro perëndimor dhe i gjithë potenciali dhe përkushtimi ynë ndër vitesh tashmë ka qenë, dhe mbetet, rrugëtim i pandashëm dhe përbashkët me shtetet mike dhe aleate në ndërtim dhe prosperim të shtetësisë sonë’’, ka thënë ai.
Më tutje ai ka folur rreth veriut, ku ka thënë se ata nuk po tregojnë çasje fqinjësore nga ana e tyre dhe se qëllimi i vetëm i tyre është sjellja e veriut të vendit në tavolinë e dialogimit. Beogradi rreth kësaj ka dy gjëra që nuk fsheh, pretendimin e tyre territorial dhe zbehjen e përmbajtjes së vendimit të GjND-së.
Pasojë e gjithë kësaj Pula ka thënë se është ecuria e dialogut i zhvilluar në Bruksel.
‘’Procesi i dialogut me vendin fqinjë, Serbinë, ka qenë dialog në shërbim të krijimit të frymës fqinjësore korrekte, por, shikuar gjendjen reale në terren, e specifikisht veriun e vendit, nuk tregohet qasje fqinjësore nga ana e tyre. Grupet parashtetërore serbe, të mirë organizuara për qëllimet politike të Beogradit zyrtar, përmes veprimeve të tyre kundëkushtetuese duke pamundësuar funksionimin e institucioneve të Republikës në atë pjesë të territorit, dhe veprimeve kundëligjore duke sulmuar zyrtarë dhe objekte shtetërore për të ngjallë frikën dhe krijuar pasiguri në mesin e qytetarëve të veriut të vendit, kanë një qëllim të vetëm politikë, sjelljen e veriut të vendit në tavolinë e dialogimit’’
‘’Andaj, veriu i vendit si qëllim i Beogradit zyrtar nuk fsheh dy gjëra, pretendimin e tyre territorial dhe zbehjen e përmbajtjes së vendimit të GjND-së, vendim i cili ka njohur të drejtën politike të qytetarëve shumicë të Kosovës për vetvendosje politike për të shpallur Kosovën të pavarur dhe në tërësinë e saj territoriale. E gjithë situata e krijuar së voni, tregon se, e gjithë ecuria e dialogut i zhvilluar në Bruksel, ka qenë fars dhe jo korrekt nga ana e tyre, marrë në konsideratë deklaratat nga zyrtarët e lartë serb kundrejt veriut si hapësirë territoriale e Kosovës; e që bie ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare si ndërhyrje e drejtpërdrejtë nga një shtet ndaj shtetit tjetër’’, deklaroi ai.
Po ashtu ai shtoj se dialogu i zhvilluar për më shumë se një dekadë në Bruksel është në rrezik për dështim pasi që situata në terren tregon se nuk është arritur bindshmëria dhe pajtueshmëria mes vendeve
‘’Dialogu i zhvilluar mbi një dekadë, në Bruksel, është vënë në rrezik për dështim dhe rezulton si i padobishëm, sepse situata në terren n’a tregon që nuk është arritur bindshmëria dhe pajtueshmëria mbi realitetin e krijuar të pas shpalljes së pavarësisë e veçanërisht pas vendimit të GjND-së, për të përmbyllur dhe njohur statusin politik-juridik të ndërsjellët. E për rrjedhojë, i kemi të angazhuar disa emisar të vende mike e aleate, përfshirë dhe atë të Unionit Europian për të përmbyllur temën e statusit ndërmjet dy vendeve. E emërimi i disa emisarëve, e specifikisht atij të ShBA-ve, njëherit tregon jo vetëm pafuqinë politike të UE-së ndaj Serbisë por edhe paanshmërinë e plotë kundrejt kësaj teme’’, tha Pula.