Kosova shënoi 398 raste me COVID-19 të dielën, shifër kjo më e larta për këtë vit kalendarik. Kjo ka bërë që të ngritët alarmi si nga institucionet shëndetësore por edhe në mesin e qytetarëve.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se do të mblidhet Komiteti për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me Covid-19.
Ky takim që do të kryesohet nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe do të mbahet me fillim prej orës 11:00.“Sot, nën kryesimin e Ministrit të Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, do të mbahet takimi i Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID 19”, thuhet shkurt në njoftim.
Ndryshe, IKSHPK thotë se numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga virusi vazhdon të jetë i lartë si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës së masave. Numri total i rasteve pozitive në vend është 66.380 raste nga 285.900 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 kurse numri i rasteve aktive është 6.639.
Si pasojë e sëmundjes COVID-19, deri më tani në vend kanë vdekur 1572 persona. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 228 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 58.169 raste,
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.