Pas reshjeve të mëdha dhe vërshimeve në shumë pjesë të vendit, ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës.
Nga Qeveria kanë theksuar se kanë ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit me qëllim të reagimit ndaj situatës së krijuar.
Njoftimi i plotë:
Pas reshjeve të mëdha që po vazhdojnë dhe vërshimeve në shumë pjesë të vendit, kemi ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues, me qëllim të reagimit ndaj situatës së krijuar.
Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjellur njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë dhe bashkë po e monitorojnë gjendjen. Autoritetet tona zyrtare janë duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren.
Ministria e Mbrojtjes, bazuar në Planin e Reagimit Kombëtar në Emergjenca, është në gatishmëri të plotë të reagojë, varësisht nga kërkesat për mbështetje të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave. Forca e Sigurisë së Kosovës, është në dispozicion me të gjitha kapacitetet, që të realizojë detyrën ligjore të mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë pa dallim.
Sipas informacioneve nga tereni janë mobilizuar të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, në mënyrë që të gjitha rrugët nacionale dhe regjionale, si dhe autoudhët të jenë të qarkullueshme për automjete. Kompanitë e MVD-së të kontraktuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjatë tërë kohës po punojnë dhe po intervenojnë për qarkullim sa më të sigurt të automjeteve.
Meqenëse, Instituti Hidrometerologjik i Kosovës, ka parashikuar përkeqësim të motit edhe gjatë ditës së nesërme, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Qytetarët mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik (të integruar) emergjent – 112 (këtë numër emergjent – 112 mund ta thirrni dhe merrni, pa prefiks, nga cilido vend në Republikën e Kosovës).
Gjithashtu mund të thirrin edhe në këta numra:
• Njësinë më të afërt Profesionale te Zjarrfikës dhe Shpëtimit, në numrin e telefonit 193,
• Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192,
• Ndihmën e shpejtë , në numër të telefonit 194.