Tash e katër ditë, faqja e Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka rënë nga sistemi, duke pamundësuar kështu qasjen në proceset e prokurimit. Kësisoj, shtohen dyshimet se çka po ndodh në platformën ku bëhet dhënia e tenderëve. Si rezultat i kësaj, është bllokuar komplet qasja në dokumentet e tenderëve për AK dhe kompanitë konkurruese.
Enis Rrustemi, Periskopi
“Problemi teknik“, siç e quajnë nga KRPP, ka shkaktuar një bllokatë të paprecedentë në funksionimin e institucioneve shtetërore dhe sektorit privat. Organizatat joqeveritare, institucionet dhe qytetarët nuk kanë pasur mundësi të monitorjnë proceset e prokurimit. Madje, dëmi që është shkaktuar nga kjo, mund të jetë i pariparueshëm edhe pas rikthimit të funksionalitetit të platformës.
Gazetari i ekonomisë, Enis Veliu, e ka quajtur “skandal të Qeverisë në largim të kryeministrit Kurti”, këtë dështim të platformës e-Prokurimi.
Madje, Veliu thotë se është absurd që një sistem kaq jetik për administrimin e prokurimeve publike të ndalet për një periudhë kaq të gjatë, në një kohë kur tenderët me vlera milionëshe po shpalleshin në Kosovë.
“Ndalimi i funksionit të platformës së prokurimit publik, E-Prokurimi, duket se është një tjetër skandal që po ndodh në Qeverinë në largim të kryeministrit Kurti. Në një kohë kur tenderët me vlera milionëshe po shpalleshin në Kosovë, është absurd që një sistem kaq jetik për administrimin e prokurimeve publike të ndalet për një periudhë të gjatë.
Ky incident është jo vetëm i çuditshëm, por edhe mjaft shqetësues, duke marrë parasysh se çdo prokurim në vend kalon përmes kësaj platforme. Si është e mundur që një mekanizëm kaq themelor për funksionimin e institucioneve shtetërore të mbetet jashtë funksioni, duke krijuar kaos në proceset e prokurimeve”, thotë Veliu për Periskopin.
Tutje, ai thekson se kjo do të sjellë pasoja të rënda juridike për Institucionet që kishin nisur procedurat e prokurimeve.
“Ky skandal i qeveritar do të sjellë pasoja të rënda juridike për Institucionet që kishin nisur procedurat e prokurimeve, pasi as ato as Operatorët Ekonomikë nuk kanë pasur mundësi të komunikojnë dhe të veprojnë. Ta zëmë gjatë kësaj kohe shumë kompanive iu kanë përfunduar sigurimi i tenderit dhe si pasojë e rënies së sistemit Institucionet nuk kanë komunikuar fare me Operatorin Ekonomik. E në aspektin juridik kur një Operatori Ekonomik nuk ka sigurim tenderi me automatizëm eliminohet nga gara”, tha tutje Veliu.
Krejt në fund, njohësi i ekonomisë thotë se ky rast kërkon një hetim të menjëhershëm nga Prokuroria.
“Nuk ka dyshim se ky rast kërkon një hetim të menjëhershëm nga Prokuroria.
A është kjo një veprim i qëllimshëm për të sabotuar proceset e prokurimit, apo thjesht një shfaqje e papërgjegjshmërisë së kompanisë që mban një sistem kaq të rëndësishëm për shtetin, këtë sa më shpejtë që është e mundur duhet ta thonë organet e hetuesisë”, përfundoi gazetari Enis Veliu.
Njoftimin e KRPP-së, e ka parë me shqetësim të thellë edhe avokati Qendrim Arifi.
Në një postim në Facebook, Arifi ka shtruar disa pyetje rreth asaj që po ndodhë me platformën e-Prokurimi.
“1. Si ka mundesi per nje problem kaq te thelle te mos kete paralajmerim;
2. Si ka mundesi qe nuk dihet nje kohe e perafert se kur platforma do te rikthehet;
3. Si ka mundesi qe ueb faqja e KRPP-se (si nje alternative ne raste te problemeve te tilla) eshte jo funksionale qe disa vite, perkunder se me 20.01.2025 u njoftuam se e njejta eshte funksionalizuar;
4. Si ka mundesi qe legjislacioni sekondar i prokurimit te mos publikohet ne Gazeten Zyrtare te Republikes se Kosoves;
5. Si do t’i adresoj KRPP demet e OE-ve te cilet ne pamundesi te qasjes ne legjislacion, dosje te tenderit dhe historik te aktivitetit te prokurimit, do te humbin te drejten per te parashtru padi ne gjykate kunder vendimeve te Organit Shqyrtues te Prokurimit”, ka shkruar ndër të tjera avokati Arifi.
Nga APP-ja përmes një komunikate për media kanë thënë se problemi kryesor në platformën E-prokurimi akoma s’është eliminuar.
“Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) njofton të gjithë Operatorët Ekonomik, Autoritetet Kontraktuese dhe të gjitha palët e interesuara, se problemi teknik i raportuar me datë 04/03/2025 ende nuk është evituar plotësisht”.
Sipas këtij institucioni, do të ndërmerren të gjitha veprimet teknike në sistemin e prokurimit elektronik, duke siguruar vazhdimësinë e të gjitha proceseve të ndërlidhura me aktivitetet e prokurimit.
“Pasi kemi pranuar kërkesa nga palët e interesuara për të ofruar sqarime rreth njoftimit të datës 04/03/2025, atëherë KRPP ju siguron që problemi është tërësisht i natyrës teknike dhe si rrjedhojë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të vënë në funksion shërbimet online”.
Ndryshe, vlen të theksohet se ndër fjalët më të përmendura të vitit 2024 ishin “kontratat njëburimore apo tenderët njëburimorë.
Rrjedhimisht, për këto kontrata njëburimore pati debat gjatë tërë vitit 2024.
Sipas partive opozitare, këta tenderë iu dhanë dostave e bizneseve të afërta me Qeverinë Kurti e me ministrat e kësaj qeverie.
Ndërkaq, Qeveria Kurti i mohoi këto akuza, bile theksoi se ka rënie të numrit të kontratave njëburimore.
Sipas të dhënave, besohet se janë shpenzuar rreth 273 milionë euro me kontrata njëburimore.
Për këtë çështje, Prokuroria e Kosovës e ka filluar hetimin e rreth 1 mijë 700 kontratave njëburimore.