Presidenti Biden njoftoi të enjten se udhëheqësi i grupit të dhunshëm të Shtetit Islamik, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi vdiq gjatë një sulmi të mërkurën në mbrëmje në provincën veriperëndimore të Sirisë, Idlib.
Ai u vu në krye të grupit militant më 31 tetor të vitit 2019, vetëm disa ditë pas vdekjes së udhëheqësit të grupit, Abu Bakr al-Baghdadi gjatë një operacioni të forcave amerikane në të njëjtën zonë.
Një zyrtar amerikan tha se al-Qurayshi ai vdiq njësoj si al-Baghdadi, duke u vetëvrarë me një bombë ndërsa afroheshin forcat amerikane. Nga shpërthimi gjetën vdekjen edhe anëtarë të familjes së tij, mes tyre gra e fëmijë.
Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi njihet gjithashtu si Amir Muhamed Sa’id Abdal-Rahman al-Mawla. Gjatë operacionit u njoftua se janë vrarë 13 persona përfshirë gjashtë fëmijë dhe katër gra.
Ushtria amerikane e ndërmorën operacionin ndërsa grupi militant ISIS-it po përpiqet të ringjallet, me një seri sulmesh në rajon, përfshirë një sulm 10-ditor në fund të muajit të kaluar me synimin për të marrë nën kontroll një burg.
Presidenti Biden tha se ai e urdhëroi operacionin për të mbrojtur popullin amerikan dhe aleatët, si dhe për ta bërë botën një vend më të sigurt.
Një zyrtar amerikan i tha Zërit të Amerikës se gjatë operacionit, një helikopter amerikan pësoi defekt, por u ul në tokë i padëmtuar. Forcat amerikane u detyruan ta shkatërrojnë pasi ai nuk mund të fluturonte më.
Pentagoni fillimisht nuk e identifikoi objektivin e sulmit.
“Misioni ishte i suksesshëm“, tha sekretari i Shtypit i Pentagonit John Kirby në një deklaratë të shkurtër. “Nuk pati viktima amerikane”, shtoi ai.
Idlibi kontrollohet kryesisht nga luftëtarët e mbështetur nga Turqia, por është gjithashtu një bastion i al-Kaedës dhe strehë e disa prej operativëve të saj kryesorë. Militantë të tjerë, përfshirë ekstremistë të grupit rival të ISIS-it, kanë gjetur gjithashtu strehim në këtë rajon./VOA/