Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, ka reaguar lidhur me publikimin e shpenzimeve të deputetëve për naftë.
Kusari thotë se vendimi për kompensim është nënshkruar nga Jakup Krasniqi:
Ajo shkruan:
Sqarim dhe njoftim
Dje gjatë ditës janë publikuar shpenzimet e udhëtimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilat kanë ngjallur reagime të shumta të qytetarëve.
Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e shpenzimit të parasë publike dhe rëndësinë e llogaridhënies për përgjegjësitë e deputetëve, me anë të këtij njoftimi duam të japim të plotë informacionin lidhur me këto kompenzime.
Vendimi mbi kompenzimin e deputetëve bazuar në përgjegjësitë dhe obligimet e tyre të punës, daton nga 10 Tetori, 2011 dhe është i nënshkruar nga Kryetari i atëhershëm i Kuvendit z. Jakup Krasniqi. Me anë të këtij vendimi, në mesin e tjerave, parashihet kompensimi për shpenzime të udhëtimit për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisionet e caktuara me vlerat si vijon:
deri në 30 km – 10 euro
deri në 60 km – 20 euro dhe
mbi 60 km – 30 euro.
Zbatimi i këtij vendimi nuk bëhet me fatura të derivative, por si pjesë e pagës mujore e cila llogaritet automatikisht me pagën mujore. Deputetët me rastin e regjistrimit të tyre për mandate në fillim të secilës legjislaturë, plotësojnë formularët për vendbanimin e tyre.
Me rastin e regjistrimit të tyre dhe fillimin e punimeve të Kuvendit, automatikisht fillon llogaritja e pjesëmarrjes së tyre në seanca dhe komisione funksionale, e me to edhe kompenzimi për udhëtime.
Aktualisht në legjislaturën e VIII të Kuvendit, janë 67 deputetë të cilët kanë të regjistruar vendbanimin jashtë Prishtinës dhe prej tyre 36 janë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Me anë të këtij njoftimi duam të informojmë opinion publik, se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompenzimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe njëkohësisht thërrasin edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njejtin standard. Gjithashtu, do të kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit për kompenzimin e deputetëve.
Ne mbetemi të përkushtuar në ngritjen e performances së punës së deputetëve, llogaridhënies dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve të Republikës!