Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur tryezë diskutimi me temën “Projektligji i Buxhetit të Kosovës për vitin 2023, Ligji i Pagave”, me sindikatat e sektorit publik në Kosovë.
Shqetësuese për GP të AAK-së, ishte mungesa e ndarjes buxhetore për të gjitha kategoritë e punonjësve të sektorit publik dhe mosrealizimi i Ligjit të Pagave.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Qeveria e Kosovës po manipulon me Ligjin e Pagave.
“Nuk e reflekton qëndrimin politik e as ato publike që ndërlidhet me pagat në sektorin publik. Na brengos fakti që ka një tendencë me manipuluar me këtë çështje dhe ne si GP e kemi trajtuar në detaje këtë temë”, tha Tahiri.
Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, tha se krahasuar me 20 për qind të inflacionit, nuk mund të konsiderohet si buxheti më i madh ndonjëherë në Kosovë.
“Është e vërtetë se Qeveria është krenare për buxhetin e propozuar për vitin 2023, mirëpo nuk po e bëjnë analizën e inflacionit. Nëse e krahasojmë inflacionin 20 për qind, atëherë konsiderojmë se nuk ka rritje të buxhetit por ka regres. Në vitin fiskal mund të shkohet në 20 për qind shpenzueshmëria më e ulët krahasuar me qeveritë e kaluara, gjë që e ka dëmtuar edhe buxhetin e shtetit”, tha Lekaj.
“Ne kemi insistuar dhe kemi qenë aktiv në miratimin e Ligjit dhe e kemi miratuar një rezolutë me mbështetjen edhe të VV-së por që ka qenë një mashtrim nga ana e tyre për shkak të kohës që ka kaluar sa i përket implementimit të kësaj rezolute”, tha tutje Lekaj.
Deputeti Shemsedin Dreshaj, tha se shkaku i pagave dinjitoze 191 mjekë vetëm këtë vit e kanë lëshuar vendin.
Skeptik se Ligji i Pagave do të jetë në fuqi në vitin 2023, u shpreh kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.
“Unë edhe në të kaluarën por edhe gjatë grevës ju përgëzoj se e keni thënë të vërtetën edhe pse të tjerët janë munduar të na lexojnë se jemi me atë apo me këtë”.
“ Në nëntor ishim takuar me Xhelal Sveçlën dhe na kishte kërkuar një qetësi dhe duke na premtuar se në mars do të ishim të kyçur drejtpërdrejt në Ligjin e Pagave, duke i marr për bazë ato që i ofronim ne dhe na thanë se në fund të marsit do të jetë para deputetëve. Por çfarë ndodhi, në mars nuk kishim asnjë qasje në këtë ligj dhe duke e parë se çmimet po rriteshin dhe e kërkuam atë që tashmë dihet”, tha Jasharaj.
Ali Gashi kryetari i Sindikatës se Administratës, tha se nëse hyn në fuqi Ligji për shërbyesit civil do të kemi administratë të kapur dhe politike, raporton EO.
“Një nga parimet bazë të këtij Ligji janë shkelur në mënyrë eklatante dhe nuk ka pasur transparencë nga Qeveria e Kosovës. Ky është një mashtrim i radhës dhe tendenca e politikës është për ta prishur strukturën organizative të shërbyesve civil”.
“Ky Projektligj për shërbyesit civil, jo vetëm që është e keqe keq e madhe që do ta pllakos sistemin qeveritar, por edhe shërbyesit civil gjithashtu. Realisht do të kemi administratë të kapur dhe politike”, tha Gashi.