Sindikata vjen me paralajmërim për Qeverinë, Flota Operative e policisë në grevë

Ligji i Ri i pagave ka sjellur pakënaqësi në shumë sektorë pasi dikush në shenjë revolte po e bojkoton edhe punën.

I gjithë stafi i Flotës Operative për servisimin e automjeteve të Policisë, siç merr vesh Front Online janë në grevë.

Të kontaktuar nga Front Online, nga Sindikata e Policisë e kanë pranuar se Flota Operative po punon vetëm për raste emergjente.

Ata e kanë mohuar se ka grevë, por vetëm se ka pakënaqësi dhe nuk po punohet me kapacitete të plota.

 “Flota është në punë, janë duke i kryer disa punë emergjente, ato të domosdoshme janë duke i kryer, por jo me kapacitetet të plota”, thotë Imer Zeqiri, Kryesindikalist i Policisë.

Zyrtarët policorë të Kosovës do të presin deri në fund të marsit, ashtu saç kanë marrë premtim nga qeveria.

Ne jemi marrë vesh edhe me të Flotës, edhe me të gjithë pjesëtarët policorë, po i presim premtimet që i kanë dhënë qeveritarët prej se e kemi pranuar pagën e shkurtit, se do ta qesin shtesën e rrezikshmërisë për zyrtarët policorë dhe do ta qesin edhe një shtesë për punë të veçantë dhe specifike për pjesën e stafit civilë. Nëse vërtetë as kjo nuk ndodh, pakënaqësitë kanë me qenë maksimum. Ashtu siç jemi marrë vesh, do të presim deri në fund të këtij muaji”, thotë ai për Front Online.

Zeqiri thotë për Front Online se do të veprojnë ashtu siç kërkohet nga pjesëtarët policorë.

“Nëse nuk ndodh, do të merremi vesh me pjesëtarët, edhe me zyrtarët policorë edhe me pjesëtarët e tjerë, çka do që kërkojnë ata edhe sindikata do të veprojnë njëjtë’, deklaroi ai për Front Online.

Front Online ka kërkuar përgjigje edhe nga Policia e Kosovës por këta të fundit kanë thënë që për këtë çështje duhet t’i drejtohemi Sindikatës së Policisë.

Policët e kanë marrë pagën e muajit shkurt, sipas Ligjit të Pagave që ka hyrë në fuqi.

Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro.

Ligji i pagave në Kosovë ka hyrë në fuqi më 5 shkurt të këtij viti.

Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.

Next Post