Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një konferencë për media të premten, ka thënë se me dhënien e betimit “filloi zyrtarisht pushtimi i veriut e do të përfundojë kur të vendosin serbët”.
Simiq i ka dhënë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deri më 1 qershor për të “ndaluar represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.
Dhe “nëse vazhdon, përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor, ata do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”, tha Simiq duke mos cekur se cilat janë këto mjete.
Simiqi i quajti sërish zgjedhjet e 23 prillit “të rreme”, siç i quan edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Ndër të tjera, ai tha se serbët nuk kanë probleme me popullin shqiptar, por me, siç tha ai, “regjimin anti-serb të Albin Kurtit”
“Ne s’kemi shumë probleme me popullin shqiptar, por me regjimin anti-serb të Albin Kurtit”, deklaroi ndër të tjera Simiqi.