Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se qëndrueshmëria kombëtare është themeli mbi të cilën ndërtohet siguria, zhvillimi dhe e ardhmja jonë si shtet.
E para e vendit ka thënë se institucionet tona duhet të jenë të gatshme dhe të koordinuara në çdo moment që të përballen me çfarëdo sfida të sigurisë.
Kështu tha Osmani në konferencën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”.
Ajo këtu përmendi sulmet hibride dhe sfidat kibernetike. Osmani potencoi se mbrojtja nga sulmet hibride është e domosdoshme.
“Qëndrueshmëria kombëtare është themeli mbi të cilën ndërtohet siguria, zhvillimi dhe e ardhmja jonë si shtet. Një shtet është po aq i sigurt sa janë të forta edhe hallkat e tij të sigurisë, në një kohë kur kërcënimet ndaj sigurisë janë më komplekse se kurrë nga luftërat konvencionale tek sulmet hibride dhe sfidat kibernetike, Kosova duhet të jetë e gatshme për sfidat me të cilat ballafaqohemi sot dhe për ato të së ardhmes. Na duhet një arkitekturë sigurie që është inovative, fleksibile dhe e përgatitur për t’u përballur me secilin skenar”.
“Kosova ka dëshmuar historikisht qëndrueshmëri, ndaj na takon ta kthejmë atë në një strategji afatgjate për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare. Siguria nuk është vetëm mungesa e kërcënimeve, por qëndrueshmëria kundrejt çfarëdo situate me të cilën përballemi. Programi kombëtar i mbrojtjes gjithëpërfshirëse përfaqëson një angazhim konkret për ta ndërtuar një sistem të fuqishëm mbrojtës dhe të qëndrueshëm. Në këtë linjë edhe forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse si dhe integrimi në NATO janë të ndërlidhura fuqishëm njëra me tjetrën”.