Përleshjet mes të burgosurve në qendrat korrektuese në vendin tonë janë shpeshtuar kohëve të fundit. Raste të tilla e incidente të tjera, siç është ikja e të dënuarve janë goxha të shpeshta dhe po ndodhin pikërisht në kohën kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po krekoset se po udhëheq suksesshëm me ministrinë dhe ka rritur nivelin e sigurisë në burgje.
Gazeta Sinjali ka raportuar së fundmi për plot raste të tilla, sidomos në Burgun e Dubravës, ku dajaku s’po ka të ndalur. Rasti i fundit ka ndodhur gjatë ditës së sotme, ku janë përfshirë dy të burgosur.
Sipas informacioneve të para, i burgosuri A.G., e ka sulmuar me mjet të fortë të burgosurin tjetër, M.A., teksa ishin duke u shëtitur, kur edhe plasi konflikti verbal mes tyre dhe për pasojë i shkaktoi lëndime trupore.
Si masë parandaluese që të mos eskalohet situata, oficerët kanë ndërhyrë, ndërsa i burgosuri që u sulmua ka marrë trajtim mjekësor, teksa është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, që ka urdhëruar inicimin e rastit si “Lëndim i lehtë trupor’.