Besian Beha
Gati 650 mijë euro subvencione u dhanë me dallavere. Më shumë se 300 mijë prej tyre, i përfituan zyrtarët publikë në kuadër të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. Për këtë ndiqej një metodë e sofistikuar. Zinxhiri i personave të përfshirë ishte i gjatë. Nga gruri, personave që aplikonin kultura e mbjellë u ndryshonte në bimë aromatike, në mënyrë që përfitimi të jetë më i madh. Gazeta Nacionale ka siguruar aktakuzën e plotë në rastin Subvencionet 1, dhe sjell detaje për format se si përfitoheshin mijëra euro në mënyrë të paligjshme.
Ishte muaji gusht i vitit 2020, kur Kastriot Berisha nga Peja, kishte vendosur të aplikojë për të përfituar një subvencion nga shteti për një parcelë toke që e kishte mbjellë me grurë. Megjithatë, gjatë aplikimit atij iu ofrua një mundësi. Ta ndryshonte kulturën e mbjellë nga gruri në bimë aromatike. Arsyeja ishte e thjeshtë, ndihmat për kulturat e bimëve aromatike, përkrahen nga shteti me më shumë para sesa gruri.
Që gjithë plani të realizohej u përkujdes Luan Statovci që ishte drejtor për pagesa në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Luani bashkë me vëllain e tij Salihun, do të përkujdeseshin që Kastrioti të pajisej me certifikatën për mbjelljen e bimëve aromatike. Gjithë kjo, në këmbim të 50% të parave, që Kastriot Berisha do t’i merrte nga shteti si subvencion. Marrëveshja u arrit, dhe procedurat po zbatoheshin në përpikëri.
Aktakuza – Pjesa e parë
I gjithë ky zinxhir i veprimit me keqpërdorime në dhënien e subvencioneve, është i përfshirë në aktakuzën e prokurorit Rafet Halimi. Në dosjen e plotë të Prokurorisë e që e ka siguruar Gazeta Nacionale, pretendohet se aplikuesi Kastriot Berisha paratë i mori në dy këste. Një herë 105 mijë euro, e në këstin e dytë 140 mijë të tjera. Prej tyre, 86 mijë euro ryshfet i mori Salih Statovci, vëllai i Luanit, drejtor për pagesa në AZHB.
Kjo metodë u përdor shumë shpesh edhe me aplikuesit e tjerë. Në këtë mënyrë, përfitoi edhe aplikuesi Fuat Morina. 109 hektarët e mbjellë me grurë, Fuatit do t’i ktheheshin në bimë aromatike. Kjo po vazhdonte të ishte mënyrë më e mirë për përfitimin e shumave më të mëdha parash. Gjithmonë sipas dosjes së Prokurorisë.
Pasi Morina paguan 3 mijë e 500 euro për tu pajisur me certifikatë për kultivimin e bimëve aromatike, Luan Statovci jep urdhër që atij t’i kryhet pagesa për subvencione pa dalë fare në terren për kontrollë.
Aktakuza – Pjesa e dytë
“Në bazë të këtyre të dhënave të rrejshme, AZHB ekzekuton pagesat në dy këste dhe Fuat Morina pranon në llogarinë e tij bankare pjesën e parë shumën 54,760.00€m pastaj me datë 06.11.2020 ia dorëzon Salih Statovcit ryshfetin në shumë 27,380.00€. Më vonë me datë 02.02.2021 Morina pranon pjesën e dytë të pagesës në vlerë 54,760.00€, dhe me datë 17.02.2020, Fuat Morina dhe Kastriot Berisha takohen me Salih Statovcin. Kur dalin jashtë, shkojnë në veturën BMW dhe Fuat Morina ia dorëzon të pandehurit Salih Statovci pjesën e dytë shumën 27,380.00€, ndërsa për vete i ndal gjithsej 51,000.00€”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë. Vetëm në këtë rast, buxheti i Kosovës u dëmtua në vlerë 110 mijë euro.
Janë së paku 6 persona që prokuroria i ka evidentuar se kanë përfituar në mënyrën e njëjtë, duke bërë falsifikimin e produkteve që i kanë të mbjella. Kryesisht nga gruri e misri, në bimë mjekësore aromatike, ku sipas Prokurorisë, shuma që merret nga shteti për këto kultura, është dukshëm më e madhe se ajo që merren për të tjerat.
Presioni i zyrtarëve të AZHB-së për të marrë ryshfet
Disa zyrtarë tjerë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë kishin tjera metoda të përfitimit të ryshfetit. Prokuroria në aktakuzën e Subvencioneve, ka evidentuar se të njëjtit ua refuzonin aplikimet disa personave, me arsyetimin se kanë mungesë të dokumentacioneve. Kështu kishte vepruar zyrtari për pagesa në AZHB, Sadat Shkodra. Madje, ky i fundit kishte kërkuar ryshfet edhe në parkingun e një prej qendrave tregtare në Prishtinë.
Aktakuza – Pjesa e tretë
“Agron Krasniqit pas aplikimit i vonohet konfirmimi, dhe i njëjti shkon në zyrat e Agjencisë ku takohet me Sadat Shkodrën e ky i thotë se keni parregullsi në dokumentacion. Duke dale në korridor të objektit i kërkon ryshfet në vlerë 5 mijë euro me qëllim që të përfshihet në listën e pagesave. Agron Krasniqi refuzon fillimisht, mirëpo më pas arrin marrëveshje për ryshfet 3 mijë euro. Pasi Krasniqit i dalin 13 mijë e 590 euro në bankë për subvencione, ata takohen në parkingun e Royal Mall, ku ia dorëzon 3 mijë euro Sadat Shkodrës në formë ryshfeti”, pretendon Prokuroria.
Përfshirja e zyrtarëve komunalë në dallaveret me subvencione
Lidhja e zyrtarëve në nivel komunal me ata në qendër tek Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ishte mirë e organizuar. Në disa raste madje, zyrtarë të caktuar kyçeshin në sistemet elektronike me emrat e të tjerëve, duke aprovuar plotësimin e kushteve për personat që paraprakisht u kërkonin ryshfet.
Jeton Sylaj si zyrtar për subvencione në Drejtorinë e Bujqësisë në Istog, dyshohet se ka vepruar njëjtë, kur ia ka aprovuar aplikuesit Dukagjin Mavrajt përfitimin e një subvencioni në vlerë prej 15 mijë eurosh.
“Jeton Sylaj duke përdorur userin dhe fjalëkalimin vendos në system aplikimin, edhe pse ka mospërputhje në mes digjitalizimit dhe parcelave i cili është bërë në një lokacion tjetër, dhe fletat poseduese të tokës kinse të marrë me qira në një tjetër lokacion. Kështu, ai ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare”, thuhet në një nga pikat e aktakuzës.
Aktakuza – Pjesa e katërt
Me të njëjtat dyshime akuzohen edhe Kushtrim Zogaj, zyrtar për politikë bujqësore në Istog, Musa Nivokazi e Lulzim Hajdaraj, si inspektorë teknikë në komunën e njëjtë.
Prokurori i rastit, Rafet Halimi ka kërkuar që të pandehurve t’u konfiskohen të gjitha pasuritë që janë përfituar nga këto para të siguruara nga ryshfeti. Ato përfshijnë duke nisur nga telefonët, veturat, e deri te aparatet e tjera me të cilat edhe janë kryer veprat penale.
Aktakuza në rastin e njohur si “Subvencionet I” është ngritur kundër 11 të pandehurve si persona zyrtarë dhe dhjetë të tjerë si përfitues të subvencioneve. Të gjithë dyshohen për: keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, mashtrim në detyrë, dhënie ryshfeti, mashtrim me subvencione dhe falsifikim të dokumentacioneve.
Seanca fillestare ishte caktuar për datën 9 mars, por pasi që aktakuza ishte rikthyer për plotësim në Prokurori, seanca është anuluar dhe do të mbahet së shpejti.
Personat e apostrofuar në këtë tekst janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë, dhe prezumohen të pafajshëm deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.