Në librin e gazetarit të njohur Blendi Fevziut “Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi” janë dhënë disa detaje interesante për Konferencën e Rambujesë. Tashmë dihet që lideri i delegacionit kosovar z. Hashim Thaçi e kishte refuzuar draftin e parë, pasi aty nuk ishte “referendumi për pavarësi dhe transformimi i UÇK-së”. Por pas këmbëngulësisë së tij, siç tregon edhe Adnan Merovci, ishin arritur këto dy pika shumë të rëndësishme.
Por edhe pas kësaj, LPK dhe LKÇK kishin lëshuar dy komunikata për shtyp ku e kundërshtonin firmosjen e marrëveshjes së Rambujesë nga Thaçi.
Por, si ishin bërë nervoz kryediplomatët e vendeve perëndimore pas refuzimit të marrëveshjes (draftit të parë) nga Hashim Thaçi.
Ja pjesa e plotë nga libri:
“Më 16:30, kryesia e Delegacionit të Kosovës, Thaçi, Rugova, Qosja dhe Surroi hynë në sallën e ngushtë ku i prisnin përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit. Ishin të gjithë në radhë përballë tyre. Sekretarja Amerikane e Shtetit Madelen Ollbrajt; Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe Robin Kuk; francezi Yber Vedrin; gjermani Joshka Fischer; italiani Lamberto Dini; zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë Abdejev; Kryetari i radhës i OSBE-së Knut Volebek, ambasadorët Hill, Petriç, Majorski, si dhe shumë këshilltarë të ministrave të Jashtëm të G-8. Kurrë Kosova apo shqiptarët në përgjithësi, nuk kishin pasur një vëmendje të tillë ndërkombëtare. Dhe një panel si ky, që përfaqësonte gjithë fuqitë më të mëdha të botës.
Ministri i Jashtëm Francez Vedrin, foli i pari. Fjala e tij përmblidhej me dy fjalë: E pranoni apo nuk e pranoni Marrëveshjen?”
Në sallë ishte qetësi absolute. Vetë kryesia e delegacionit ishte gjithë dyzime nëse duhej ta pranonte apo jo. Shikimet ranë mbi Thaçin. Ai e mori fjalën, më shumë i shtyrë nga shikimet këmbëngulëse të ministrave:
Po e pranojmë!
Bëri një pauzë sa fjala e tij të përkthehej, dhe kur pa entuziazmin e përzier me habi, vijoi:
Por me kusht që të na njihet e drejta për shprehje të vullnetit për popullin e Kosovës për referendum pas fazës kalimtare, pastaj UÇK-ja të transformohet.
Fjalia e dytë e rrëzoi fare të parën. Në tryezë Ministrat e Jashtëm u nervozuan.
Në fillim Vedrin (francez) dhe më pas Dini (italian) pyetën sërish:
“PO apo JO”
Thaçi këmbënguli:
E pranojmë, por të njihet e drejta për popullin e Kosovës për referendum.
Zv. ministri i Jashtëm Rus u tensionua akoma më shumë:
“Bëhuni të sinqertë”- ju tha. PO apo JO?
Vedrin (francezi) ktheu kokën nga anëtarët e tjerë të delegacionit.
“Ju jeni tri rryma politike”, tha ai duke tundur kokën.
Në kujtimet e sahm botuar vite më pas, Ollbrajt e përshkruan kështu atë takim të tensionuar të 20 shkurtit 1999, ora 16:30, ku përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës ishin vënë përballë kryediplomatëve të vendeve më të fuqishme të globit, së bashku. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë gjatë historisë së shqiptarëve. Ndaj pesha e PO-së dhe JO-së, ishte më e madhe. Gjithë diplomacia botërore ishte me sytë dhe vëmendjen nga ata.
“Dhoma ishte plot me njerëz dhe e vogël. Ministrat e Jashtëm ishin ulur së bashku, si një grup gjykatësish, në njërin krah të një tryeze të drunjtë. Që në fillim, sesioni të krijonte përshtypjen e një seance hetimore. Në fund nuk kishte dyshim se një një të tillë u kthye. Udhëheqësit e Delegacionit Shqiptar ishin ulur përballë nesh. Thaçi, i cili dukej i shqetësuar, ishte ulur në karrigen qendrore. Atmosfera ishte e nderë, qysh kur u lëm dhe po rregullonim kufjet e përkthimit. Në të vërtetë, aty kishte vetëm një pyetje për t’u bërë dhe ajo kishte të bënte me faktin nëse shqiptarët do ta pranonin marrëveshjen-kornizë. Ata kishin premtuar se do të përgjigjeshin pozitivisht, por kur erdhi çasti, Thaçi nuk dha përgjigje të qartë. Ky qëndrim i dha rast që të ndërhynte Ministri i Jashtëm italian, Lamberto Dini, i cili gjithnjë kishte mbajtur qëndrim kritik ndaj UÇK-së. Ai këmbënguli që Thaçi jo vetëm të pranonte marrëveshjen-kornizë, por gjithashtu të hiqte dorë nga mbështetja për një referendum lidhur me pavarësinë. Kjo ishte e padrejtë. Propozimi që kishim paraqitur ne kërkonte që kosovarët t’i nxisnim, por jo të braktisnin aspiratat e tyre për pavarësi. Me këmbëngulje, Dini (italian) kërkonte ta shtynte Thaçin të përgjigjej me “po”, ose “jo” për atë që Thaçi nuk donte të fliste. Për rrjedhojë, Thaçi qëndronte as mish as peshk, duke mos pranuar as marrëveshjen-kuadër, e as të jepte ndonjë përgjigje të qartë. Delegatët e tjerë që ishin me të – Surroi, Rugova dhe Qosja – rrinin si trungje; Surroi ngaqë mendonte se nuk mund të fliste para të tjerëve, Rugova sepse ky ishte “stili”i tij, dhe Qosja ngaqë mendonte se Thaçi po vepronte ashtu siç duhej. Hoqa kufjet dhe i përplasa mbi tryezë. Shqiptarët na kishin thënë se do të binin dakord me marrëveshjen-kornizë dhe kur këtë pyetje ua bëra më vonë, ashtu bënë”.