Në Kosovë pritet të rikthehen tarifat e vjetra të energjisë elektrike, pasi Gjykata e Apelit vërtetoi vendim e Themelores në Prishtinë që pezullonte vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike.
Apeli ka vendosur pas ankesës së ZRRE-së, duke thënë se ishte e pabazuar ankesa e të paditurës ZRrE.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e të paditurës – kundërpropozueses ZRrE, e datës 26.04.2022, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative i datës 08.04.2022, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit.
Lidhur me këtë vendim ka folur kryesuesi i bordit Ymer Fejzullahu.
Fejzullahu tha se vendim i Gjykatës së Apelit do të zbatohet brenda 30 ditëve. Që nënkupton inkasimi i faturave tashe tutje do të bëhet me tarifat e vjetra.
“Është obligimi i jonë që cilido të jetë vendimi i Gjykatës së Apelit ne do ta zbatojmë brenda 30 ditëve sipas legjislacionit në fuqi”, tha kryesuesi i bordit Ymer Fejzullahu për Insajderin.
Procesi në gjykatë për të pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës ka nisur pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës “i dëmton qytetarët”.
Tarifat e reja të energjisë elektrike të miratuara nga ZRRE-ja, kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt dhe ishin planifikuar të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023. /Gazeta Papirus/