I themeluar në fillim të muajit mars, deri më tani nuk dihet se sa është shuma e mbledhur dhe numri i atyre që kanë kontribuar deri më tani në Fondin e Sigurisë.
Sipas një përgjigje për Telegrafin nga Thesari i Shtetit, duke u bazuar në situatën botërore që gjendemi, kjo informatë është e klasifikuar.
“Të jeni të njoftuar se kjo informatë është e klasifikuar sipas legjislacionit në fuqi në bazë të vlerësimeve profesionale të situatës (globale) që ndodhemi”, ka thënë drejtori i Thesarit, Ahmet Ismaili.
Deri më tani nuk janë përmendur shifrat se sakta se sa është shuma e mbledhur për Fondin e Sigurisë. Një javë pas themelimit, vet kryeministri Albin Kurti pati thënë se vlera e mjeteve është shtatë shifrore.
“Ajo që unë di, numri i donacioneve për Fondin e Sigurisë deri në këtë fundjavë ka qenë katër shifrorë, ndërsa, numri i mjeteve të mbledhura është shtatë shifrorë. Për shifra të sakta mund të ju tregojë Ministria e Financave”, pati theksuar Kurti.
Ky Fond është themeluar, siç ka thënë Kurti, bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, “situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë”.
Fondi menaxhohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe mjetet e grumbulluara do të përdoren për mbështetje të prioriteteve të Qeverisë, duke përfshirë fushën e mbrojtjes, infrastrukturën e sigurisë, menaxhimin e katastrofave natyrore apo ngjashëm bazuar në vlerësimin e ekzekutivit.
Mjetet e grumbulluar do të alokohen në Ministrinë e Mbrojtjes për shfrytëzim si buxhet shtesë dhe do të përdoren në përputhje me legjislacionin përkatës për financat publike.