Mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere ku është pritur të diskutohet për çështjen e projektligjit për Trustin është shtyrë.
Ferat Shala, anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere nga radhët e PDK-së.
“Po është e vërtetë që është shtyrë mbledhja në të cilën pikë e rendit të ditës ka qenë edhe çështja e Trustit”, ka thënë ai.
Shala, ka deklaruar se kjo ka ndodhur krejt si shkak pasi që kryetari i komisionit Armend Muja i cili vjen nga radhët e VV-së, po dëshiron ta zhagitë këtë çështje.
“Kjo ka ndodhë si rezultat i obstruksioneve që kryetari i Komisionit Armen Muja, po e bën për të zhagitë deri në maksimum çështjen e Trustit dhe gjitha këto janë obstruksione politike të Lëvizjes Vetëvendosje përmes instrumentalizimit të kryetarit të Komisionit”, është shprehur ai.
I pyetur se kur pritet të mbahet mbledhja e radhës, ai ka thënë se ka mbetur çështje e hapur.
“Ka mbetë e hapur sot pas seancës apo kur kryetari e thirr mbledhjen e radhës”, ka deklaruar Shala.
Për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti të shtunën në Prishtinë është mbajtur edhe protestë ku u kërkua që qytetarëve t’u lejohet tërheqja e 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti.
Në vitin 2020, qytetarëve të Kosovës u është mundësuar të tërheqin 10% të kursimeve të tyre nga Trusti. Kjo është bërë me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, qëllim i të cilit ka qenë adresimi i vështirësive financiare, të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Asokohe, nga Trusti janë tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontribut-pagues. Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe atëherë ka qenë kundër.