Rritja e çmimeve në Shqipëri ka shënuar një tjetër rekord gjatë muajit prill.
Sipas të dhënave të INSTAT shtrenjtimi më i madh krahasuar me muajin prill 2021, vërehet në grupin “Transporti” me 22,5 % dhe kjo lidhet direkt me karburantet.
Nafta por edhe benzina janë shitur gjatë kësaj periudhe me rreth 240 lekë. Ky nëngrup është pasuar ushqime dhe pije joalkoolike e cila ka pësuar një rritje me 9,9 % nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë,raporton Sinjali.
Brenda grupit të ushqimeve ndikim kryesor ka dhënë shtrenjtimi i vajit i cili është shitur rreth 400 lekë për litër një nivel ky i pa regjistruar në vend më parë. Në grupin e ushqimeve disa herë më shtrenjtë qytetarët kanë blerë edhe “qumësht, djathë dhe vezë” që janë rritur me 17,1 % si dhe “bukë e drithëra” me 16,7 %.
Pavarësisht ngritjes së dy bordeve të transparencës gjatë muajit prill këto struktura duket se nuk kanë dhënë asnjë efekt pasi inflacioni rezulton më i lartë se muaji mars, raporton abcnews.al.
Si pasojë e shtrenjtimit të çmimeve inflacioni ka kërcyer në 6.2% ose dy fish mbi objektivin e vendosur nga Banka e Shqipërisë prej 3%.Rritja e inflacionit pritet që të detyrojë Bankën Qendrore që të rishikojë përsëri në rritje normën bazë të interesit gjatë muajit të ardhshëm.
Aktualisht norma e interesit u rrit nga 0.5% në 1%. Gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë, inflacioni fiksohej në 1.9% dhe ky nivel rezulton më i larti që prej vitit 2002.