Gazeta Sinjali dje ka raportuar për një gjuajtje me armë zjarri që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në kryeqytet. I dyshuari kishte shtënë nga vetura dhe më pas ishte larguar në drejtim të panjohur.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore është arritur që të identifikohet personi i dyshuar, i cili është nga fshati Stanoc i Epërm i komunës së Vushtrrisë.
Pas ftesës për paraqitje në stacion, 31-vjeçari ka dorëzuar armën që dyshohet se e ka përdorur në rast dhe ka dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin.
Sinjali mëson se i dyshuari ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet, teksa arsyetohet se këtë veprim e ka bërë në shenjë gëzimi për lindjen e mbesës së tij, e cila erdhi në jetë pas 20 vitesh martesë.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet në liri për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm’.