Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është përfshirë në diskutimin e ministrave të Jashtëm të Grupit të G7-ës këtë fundjavë në Liverpool të Britanisë së Madhe, raporton Gazeta Express.
Në një deklaratë të Sekretares së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth Truss, Kryetare e Takimit të Ministrave të Jashtëm të G7-ës, thuhet i kërkohet Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialog dhe të bëjnë përparim në këtë proces pa vonesa.
“Ne i kërkuam Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe të bëjnë përparim pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në fund të faqes së parë të deklaratës së publikuar në web-faqen e qeverisë së Britanisë së Madhe.
Ministrat e Jashtëm të G7-ës diskutuan edhe për Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë Bosnjë e Hercegovinën, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së perspektivës evropiane, stabilitetit dhe sigurisë.
“Ne ofruam mbështetjen tonë të vendosur për territorin e vendit, integritetin, sovranitetin dhe unitetin, dhe për punën e Përfaqësuesit Special të BE-së dhe Operacionin EUFOR Althea, si dhe Përfaqësuesit të Lartë Schmidt dhe selisë së NATO-s në Sarajevë”, thuhet në këtë deklaratë.
Koordinatori i Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), Petrit Selimi, shkroi se për herë të parë pas disa vitesh, ekonomitë më të fuqishme botërore i çojnë mesazh Kosovës dhe Serbisë.
“Ekonomitë më të mëdha në botë në G7 u takuan këtë fundjavë. Deklarata e tyre gjithashtu mbulon Kosovën për herë të parë pas vitesh”, shkruan Selimi, duke cituar pjesën e deklaratës ku flitet për dialogun.
Mbledhja vjen disa ditë pasi kreu i ri i forcave të armatosura të Britanisë, Admirali Sir Tony Radakin e përshkroi si thellësisht shqetësues grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave ruse në kufirin me Ukrainën.