Aktivisti shqiptar nga Komuna e Medvegjës, Haki Emini, thotë se familja e tij është duke u përballur me spastrim etnik nga Serbia për shkak të përkatësisë kombëtare.
Nëpërmjet një letre drejtuar institucioneve të Kosovës ai ka reaguar duke ngritur zërin për pasivizimin e adresave nga ana e Serbisë.
“Pikërisht për këto arsye, duke qenë se unë jam shtetas i Serbisë, në disa raste i jam drejtuar publikisht institucioneve kompetente në Beograd, të cilat i kanë injoruar ankesat e mia, ndërsa në praktikë kanë vazhduar veprimet e paligjshme të organeve të saj shtetërore. Së pari, sepse nuk më është dorëzuar fare vendimi i paligjshëm për heqjen e adresës së vendbanimit dhe për këtë arsye nuk kam mundur të shfrytëzoj të drejtën e ankesës, e mandej, pasi që kam arritur ta ushtroj ankesën me ndihmën e avokatit, për më shumë se një vit më është mohuar përgjigjja në ankesën në fjalë”, shkruan Emini mes tjerash.
Sipas Eminit, masat e reciprocitetit në lidhje me njohjen e dokumenteve shtetërore të cilat aplikohen gjatë kalimit të pikave kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më së shumti prekin pjesëtarët e pakicës shqiptare nga Serbia.
“Me veprimet e tilla, pjesëtarët e pakicës shqiptare nga Medvegja praktikisht janë vendosur në geto. Pa adresë të vendbanimit dhe dokumente personale, të cilat na janë mohuar në mënyrë të paligjshme, Kosova është duke na i mbyll dyert, edhe pse familjet tona shpesh ndodhen në anën tjetër të kufirit”, shkruan ai.
Ai potencon se me këtë problem nuk janë marrë as deputetet shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, as Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Serbi, dhe as Qeveria e Shqipërisë e cila e ka të nënshkruar marrëveshjen dypalëshe ndërkombëtare me Serbinë për zgjidhjen e problemeve të pakicave.
Letra e plotë:
Të nderuar,
Ju shkruaj si pjesëtar i pakicës shqiptare nga Serbia, familja e të cilit, vetëm për shkak të përkatësisë kombëtare, është duke u përballur me spastrimin etnik të paligjshëm administrativ.
Njëjtë sikurse në rastin e disa mijëra bashkëkombësve tanë nga territori i Komunës së Medvegjës në Serbi (disa të dhëna tregojnë se kemi të bëjmë me mbi 4,000 raste), mua dhe anëtarëve të familjes sime na është hequr adresa e vendbanimit. Duke qenë se unë për më shumë se 20 vjet gjendem në punë të përkohshme në Zvicër, për çka sipas rregullit janë njoftuar organet konsullore dhe organet e brendshme të Republikës së Serbisë, shtetas i së cilës jam, pasivizimi i adresës sime dhe anëtarëve të familjes sime, ishte bërë në mënyrë të paligjshme. Kësaj duhet t’i shtohet se një praktikë e tillë zbatohet pothuajse vetëm tek rastet e pjesëtarëve të bashkësisë kombëtare shqiptare, gjë që tregon qartë se qëllimi dhe motivi i kësaj sjelljeje të Policisë së Serbisë është që shqiptarët e mbetur, me anë të masave administrative, të dëbohen nga ky rajon.
Pikërisht për këto arsye, duke qenë se unë jam shtetas i Serbisë, në disa raste i jam drejtuar publikisht institucioneve kompetente në Beograd, të cilat i kanë injoruar ankesat e mia, ndërsa në praktikë kanë vazhduar veprimet e paligjshme të organeve të saj shtetërore. Së pari, sepse nuk më është dorëzuar fare vendimi i paligjshëm për heqjen e adresës së vendbanimit dhe për këtë arsye nuk kam mundur të shfrytëzoj të drejtën e ankesës, e mandej, pasi që kam arritur ta ushtroj ankesën me ndihmën e avokatit, për më shumë se një vit më është mohuar përgjigjja në ankesën në fjalë.
Për të njëjtat arsye iu drejtova Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, duke konsideruar se ajo, duke pasur parasysh heshtjen e organeve të Serbisë, është adresa e duhur e cila mund të përfshijë këtë çështje në agjendën në kuadër të dialogut në Bruksel me qëllim që problemet tona të zgjidhen me marrëveshje.
Për të njëjtën shkas kam qenë mysafir në emisionin Click, i cili transmetohet në televizionin kosovar TV 21. Në bazë të të gjitha të lartcekurave, mund të pohoj me siguri se Qeveria e Kosovës ka mjaft njohuri për problemin e spastrimit etnik administrativ të pakicës shqiptare në Medvegjë.
Me atë rast në veçanti theksova se masat e reciprocitetit në lidhje me njohjen e dokumenteve shtetërore të cilat aplikohen gjatë kalimit të pikave kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më së shumti prekin pjesëtarët e pakicës shqiptare nga Serbia, pasi që ata, me heqjen e adresës së vendbanimit, njëkohësisht mbesin edhe pa të drejtën e pajisjes me dokumente personale (letërnjoftim) përderisa nuk ekziston mundësia që të hyjnë në territorin e Kosovës me pasaportë.
Edhe pse ka pasur premtime nga Qeveria e Kosovës se kjo masë do të shfuqizohet, të paktën kur bëhet fjalë për pjesëtarët e pakicës shqiptare nga Serbia, kjo masë nuk është shfuqizuar deri më tani.
Pikërisht për këtë arsye, së fundmi ka ndodhur një incident kur vajzës sime, të cilës iu morën adresa e vendbanimit dhe letërnjoftimi serb, i është pamundësuar hyrja në territorin e Kosovës me familjen e saj, bashkëshortin dhe fëmijët e mitur. Edhe pse është e martuar me shtetasin e Kosovës, ajo, në një mënyrë skajshmërish johumane dhe të pashembullt, është ndarë nga fëmijët e saj të mitur, të cilët, për shkak të skenave tronditëse kanë përjetuar trauma serioze.
Me këtë rast dëshiroj që edhe një herë të potencoj publikisht problemin me të cilin jemi duke u ballafaquar ne si qytetarë të rëndomtë dhe për të cilin problem nuk po hasim në mirëkuptimin as të shtetit shtetësinë e të cilin e kemi, por as të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë si shteteve amë të popullit tonë, të cilat do të duhej të kujdeseshin për bashkëkombësit që kanë mbetur në territorin e Serbisë.
Nuk mund të mos t’ju parashtroj një pyetje në këtë rast, a jeni në dijeni se kush dhe për çfarë arsye gjatë historisë i kishte ndarë fëmijët nga nënat e tyre? A mund të jetë justifikim për këto veprime në shekullin XXI politika e gabuar e reciprocitetit e cila i prek vetëm shqiptarët e diskriminuar nga Serbia?
Nga njëra anë, Serbia po bën të pamundurën që të zhdukemi nga vatrat tona shekullore, ajo i fshin adresat tona të vendbanimit dhe na mohon të drejtën tonë themelore të njeriut për t’u pajisur me dokumente personale, ndërsa nga ana tjetër, në praktikë përjetojmë që institucionet e Kosovës ju ndihmojnë në këtë me gjithë zemër! Edhe pse nuk dyshoj se ky nuk ka qenë qëllimi i Qeverisë së Kosovës, në rastin tim dhe të familjes sime, mund të shihni qartë se rezultatet janë të tilla në praktikë.
Me veprimet e tilla, pjesëtarët e pakicës shqiptare nga Medvegja praktikisht janë vendosur në geto. Pa adresë të vendbanimit dhe dokumente personale, të cilat na janë mohuar në mënyrë të paligjshme, Kosova është duke na i mbyll dyert, edhe pse familjet tona shpesh ndodhen në anën tjetër të kufirit.
Si njeri i cili është prekur me veprimet e tilla të shtetit, shtetas i të cilit jam, por edhe të shtetit për të cilin konsideroj se është mëmëdheu im, më duhet të parashtroj pyetjen për çfarë arsye ky problem deri më sot nuk është parashtruar si njëra nga temat e bisedimeve në Bruksel? Do të pajtohemi se ky është një problem jetësor i njerëzve të rëndomtë në terren, për të cilin nuk kanë zgjidhje as familja ime as shumë familje të tjera të bashkëkombësve tanë.
Për më tepër, duhet të theksoj se me këtë problem nuk janë marrë as deputetet shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, as Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Serbi, dhe as Qeveria e Shqipërisë e cila e ka të nënshkruar marrëveshjen dypalëshe ndërkombëtare me Serbinë për zgjidhjen e problemeve të pakicave.
Për të gjitha të lartcekurat, ju ftoj që të rishikoni politikën tuaj të mëtejshme ndaj pakicës shqiptare në Serbi, e cila është kundërproduktive dhe e dëmshme, pasi që e kufizon vetëm lirinë tonë të lëvizjes, e jo të atyre që për motive të veta nuk duan të tregojnë pasaportën e tyre gjatë hyrjes në territorin e Kosovës sepse nuk e konsiderojnë Kosovën si shtet. Me veprimet e tilla na keni shkaktuar dëme, ndërsa nacionalistëve në Serbi u bëni shërbim duke u dhënë besimin se janë duke hyrë në territorin e vet ndërsa në shtetet e huaja mund të hyhet me pasaportë.
Për të gjitha të lartcekurat, ju lus që sa më shpejtë të jetë e mundur të anuloni ose rishikoni marrëveshjen e dëmshme për dokumentet e udhëtimit me Serbinë apo të përjashtoni nga zbatimi i saj të paktën pjesëtarët e pakicës shqiptare të cilëve u është hequr adresa e vendbanimit dhe marrë e drejta për pajisjen me letërnjoftim nga Serbia.
Me shpresë se ky apel në emër të të gjithë shqiptarëve nga Serbia, që janë të rrezikuar dhe të diskriminuar, do të tërheqë vëmendjen tuaj në këtë problem të ngutshëm, ju përshëndes përzemërsisht.
Haki Emini,
Tupallë, Medvegjë