Erkidi është veçse 3 muajsh dhe erdhi para kohe në këtë botë si pasojë e një komplikimi që pësoi Elsa, nëna e tij. Erkidi qëndroi për 3 javë në intubim dhe shpresat se ai do të dilte i gjallë prej aty ishin të pakta… por falë Zotit Erkidi jeton.
Elsa e Elidoni u lumturuan kur më në fund sollën djalin e tyre në shtëpi. Por lumturia nuk zgjati shumë… shikimi në sytë e vogëlushit ishte i dëmtuar. Nënë e babë u përballën sërish me dhimbjen, me vuajtjet që menduan se i kishin lënë pas.
Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” e publikoi rastin e familjes Braho javën e kaluar. Në një kohë rekord, me ndihmën e shqiptarëve bamirës, shuma e nevojshme për të dërguar Erkidin për kurim në Itali u arrit. Kur morën lajmin Elsa e Elidoni, me siguri do të kenë derdhur lot gëzimi…
Ja se çfarë na treguan babë e nënë, teksa gjithçka bëhej gati për t’u nisur drejt shpëtimit të syve të Erkidit.
“Ju falenderoj shumë, juve, fondacionin, shqiptarët. Falë punës suaj u bë e mundur në kohë rekord… me shpresë jemi tani, që çdo gjë të shkojë mirë”-tha Elidoni.
“Nuk e prisja kaq shpejt, kjo është një mrekulli për sytë e djalit tim. Uroj të gjithë shqiptarët, Zoti ua shpërbleftë dhe shumë faleminderit, më kthyet një shpresë që s’do ta harroj kurrë. Kam një parandjenjë që tim biri do t’i kthehen sytë.
Edhe pse kam shumë frikë se operim është e se djali është i vogël… por me ndihmën e shqiptarëve, ia dolëm që ëndrra të më bëhet realitet që im bir të mos jetojë si në ferr.”-tha Elsa./abcnews.al/