Në Shqipëri qeveria shqiptare njoftoi sot se është tërhequr nga aplikimi për familjarët, i një çmimi disa herë më të lartë për konsumin e energjisë mbi 800 kilowat/orë për muajin nëntor.
Me herët kishte qenë Korporata energjetike (KESH) prodhuesi kryesor i energjisë dhe furnizuesi i saj që i kishte bërë të ditur operatorit të shpërndarjes së energjisë, pezullimin e aplikimit të tarifave të shtuara.
Për pasojë, Entit rregullator të Energjisë (ERE) i është kërkuar të ndryshojë vendimin e tij, për të reflektuar mbajtjen të pandryshuar të çmimit, pavarësisht konsumit. ERE ka njoftuar se do të mblidhet nesër.
Të njejtin veprim qeveria e ndërmori dhe në muajin tetor, pasi më parë kishte njoftuar zbatimin, deri në 31 dhjetor të këtij viti, të një plani tarifor me dy nivele, duke ruajtur çmimin prej 11.4 lekësh (9.5 lekë + Tvsh) për konsumin deri në 800 kilowat/orë në muaj, dhe një çmim disa herë më të lartë prej 50.4 lekësh (42 lekë + Tvsh), për çdo kilowat/orë të konsumuar përtej këtij niveli.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku shpjegoi përmes një komunikimi publik se pavarësisht situatës jo të mirë hidrike, vendimi për të mos zbatuar as në nëntor tarifat me dy nivele, ishte favorizuar nga një anë për shkak të rënies së çmimeve të importit të energjisë, dhe nga ana tjetër, nga ulja e konsumit për shkak të kursimit.
Ministrja Balluku, tha se krahasuar me një vit më parë, konsumi i energjisë elektrike kishte rënë mesatarisht me 7 për qind.
Në fund të muajit tetor, Komisioni Evropian njoftoi se Shqipërisë I ishte akorduar në formën e mbështetjes buxhetore një fond prej 80 milionë eurosh për përballimin e krizës së energjisë, ndërkohë që vendi pritet të përfitojë, që prej fillimit të vitit të ardhshëm, dhe nga një tjetër paketë 500 milionë euroshe ndihme, e parashikuar për vendet e Ballkanit./VOA