Kombëtarja e Shqipërisë mund të avancojë në fazën e eliminimit direkt edhe nëse fiton vetëm një pikë ndaj Spanjës, ani pse ky skenar nuk është i lehtë.
“Kuq e Zinjtë” të hënën mbrëma zhvillojnë finalen ndaj Spanjës, ku me një fitore – mund të themi se 99 për qind kalon në 1/8 e finales.
Megjithatë, ekziston mundësia që Shqipëria të avancojë tutje edhe me vetëm një pikë të fituar ndaj “La Roja”, por varet edhe nga ndeshjet që zhvillohen në grupet C dhe F.
Fillimisht, Anglia duhet të shënojë fitore ndaj Sllovenisë me më shumë se dy gola diferencë, Turqia ta mund Çekinë, Danimarka të triumfojë ndaj Serbisë si dhe Portugalia të mos pësojë humbje kundër Gjeorgjisë.
Përpos tyre, është e domosdoshme që Kroacia të mos e mposhtë assesi Italinë, përballje që gjithashtu zhvillohet të hënën me fillim nga ora 21:00.
Në rast që ndodhin tërë këto matematika, atëherë Shqipëria do të kualifikohej si një nga vendet e treta, ndërsa në fazën e eliminimit direkt mund të përballet me Portugalinë.
Matematikisht Shqipëria mund të avancojë edhe si pozitë e dytë, veçse duhet të mposht Spanjën dhe njëkohësisht Kroacia të triumfojë kundër Italisë. Kësisoj, “Kuq e Zinjtë” do të mbledhnin katër pikë si vend i dytë dhe në fazën tjetër do të përballeshin me Zvicrën.