Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Shqipëri njoftoi se mbrëmjen e 15 janarit, në Shqipëri është evakuuar një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza, të cilit do t’i ofrohet kujdesi kritik shëndetësor.
“Fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar ‘Nënë Tereza’, ndërsa babai, vëllai dhe motra janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës”, u tha në njoftimin e OBSH-së në Shqipëri.
OBSH-ja falënderojë institucionet shtetërore të Shqipërisë për lehtësimin e këtij evakuimi mjekësor.
“Angazhimi i Shqipërisë për të mbështetur ata në nevojë është një shembull i rëndësishëm solidariteti. Meqë shumë pacientë nga Gaza ende kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare mbeten vendimtare”, u tha në njoftim.
Ky është evakuimi i parë mjekësor në Shqipëri i banorëve nga Gaza. Ndërkaq, në nëntor të vitit 2023 ishte evakuuar një familje shqiptare nga enklava palestineze.
Organizatat për të drejtat e fëmijëve dhe ato humanitare, që kur ka nisur lufta në Gazë, kanë bërë thirrje të vazhdueshme për lehtësimin e evakuimeve mjekësore nga enklava palestineze.
Tetorin e vitit të kaluar, agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijët, UNICEF, tha se ritmi me të cilin fëmijët e sëmurë po evakuohen nga Gaza është më pak se një fëmijë në ditë, raporton REL.
UNICEF tha se nëse ky ritëm “i ngadalshëm e vdekjeprurës” vazhdon, atëherë do të duhej më shumë se shtatë vjet për të evakuuar 2.500 fëmijë që kanë nevojë urgjente për kujdes shëndetësor.