Nuk janë të rralla rastet që në rrugët e Kosovës shihen qytetarë që dalin në xhamat e veturave në lëvizje, ku bëjnë veprime të ndryshme, me ç’rast rrezikojnë vetën dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik. Raste të tilla jemi mësuar t’i shohim edhe gjatë ahengjeve siç ka ndodhur sot.
Në pamjet e dërguara nga një Sinjalizues, shihet një veturë teksa është në lëvizje dhe dy gra e një fëmijë janë me një pjesë të trupit jashtë xhamit, kështu duke rrezikuar veten dhe të tjerët.
Ende s’dihet nëse Policia ka marrë informacione për këtë rast dhe nëse janë identifikuar personat në fjalë, ndaj të cilëve sipas Ligjit për Kundërvajtje duhet të merren veprimet e duhura, pasi lëvizjet e tilla janë të ndaluara me ligj.
“Gjatë kohës së lëvizjes së mjetit nuk lejohet që personat të kërcejnë, t’i hapin dyert, të dalin me pjesë të trupit jashtë mjetit, të ulen në dritare apo të ngjashme, në pjesë të jashtme të mjetit ose në mjete të bashkëngjitura.”, thuhet në paragrafin 1 të nenit 190 të Ligjit për Kundërvajtje.
Të gjithë ata që veprojnë në kundërshtim me këto dispozita, dënohen për kundërvajtje, me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) eurosh, gjobë kjo që i shqiptohet edhe shoferit.