Numri i rasteve të dhunës në familje po rritet çdo ditë e më shumë dhe viktima më të shpeshta janë gratë dhe vajzat. Ato shesh kërkojnë mbrojtje institucionale për shkak të dhunës që përjetojnë kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes. Por jo gjithmonë dhuna raportohet në momentin që ndodh. Sinjali ka mësuar detaje për disa nga rastet e raportuara në Polici në 24 orët e fundit.
Një ndër këto raste ka ndodhur mbrëmë në fshatin Tërrnavë në Podujevë, ku një grua e ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje. Sinjali mëson se i dyshuari 57-vjeçar ka ushtruar dhunë psikike në vazhdimësi ndaj viktimës, e cila mbrëmë më në fund vendosi ta njoftojë Policisë.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka arrestuar personin e dyshuar, i cili gjatë intervistimit ka deklaruar se kanë pasur një mosmarrëveshje verbale me gruan e tij, por nuk ka ushtruar dhunë. Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të prokurorit të dyshuarit kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’ dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Teksa edhe në Prishtinë një grua e ka denoncuar burrin e saj për dhunë psikike e fizike, rast ky që dyshohet se ka ndodhur pak para mesnatës, në shtëpinë e tyre në lagjen Emshir. I riu B.Xh., është arrestuar nën dyshimet se e ka rrahur gruan e tij, të cilës përveç që i ka shkaktuar lëndime trupore, i ka bërë edhe presion, duke i krijuar shqetësim e frikë të madhe. Përballë kësaj situate, viktime ka vendosur të kërkojë ndihmën e Policisë, me ç’rast i dyshuari u prangos dhe më pas u dërgua në ndalim policor.
Dhunë dyshohet se ka pasur edhe në një familje në Fushë Kosovë, ku edhe këtë herë i dyshuar është një burrë, i cili pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij, e ka sulmuar të njëjtën, duke i shkaktuar lëndime trupore. Gruaja e ka raportuar të dyshuarin, me ç’rast Policia ka intervenuar dhe e ka shoqëruar në stacion policor. Ndaj tij, kanë nisur hetimet për veprën penale “Dhunë në familje”.
Edhe në Prizren është arrestuar një burrë i dyshuar për dhunë në familje. Rasti ka ndodhur në rrugën “Asdreni”, ku një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë, për të disatën herë. Ajo ka vendosur të mos heshtë dhe e ka denoncuar, çka u bë ‘sebep’ që i njëjti të arrestohet dhe ndalohet me urdhër të Prokurorit të Shtetit.