Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë në rrahje janë përfshirë dy persona, që dyshohet se u kapën për shkak të një mosmarrëveshje, me synimin që t’i qërojnë hesapet.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari J.K., 44-vjeçar e ka sulmuar fizikisht viktimën, duke e goditur me shqelma dhe grushte dhe për pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore.
Sinjali mëson se motivi i incidentit dyshohet të jetë një problem i mëhershëm që palët kanë pasur mes vete, e që i futi sërish në telashe.
Posa rasti është denoncuar në Polici, një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes, bashkë me Autoambulancën, me ç’rast viktima mori trajtimin mjekësor, ndërkohë i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.