Kosovarëve u është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011. E në vitin 2018, Komisioni Evropian tha se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kriteret dhe rekomandoi shtetet anëtare të BE-së që të heqin regjimin e vizave.
Por ky rekomandim nga Komisioni, nuk i ka bërë fare përshtypje disa prej vendeve anëtare të BE-së, e veçanërisht Francës.
Si rrjedhojë e kësaj kosovarët akoma kanë mbetur të izoluar, duke pritur në radhe tek ambasadat e këtyre shteteve, për të marrë një vizë.
Se akoma ka skepticizëm tek disa vende anëtare të bllokut evropian, e thotë edhe Profesori nga Oxford University, Richard Caplan.
“Ka mbështetje të fortë për liberalizimin e vizave nga shumica, por jo nga të gjitha palët brenda BE-së. Parlamenti i BE-së përsëriti mbështetjen për liberalizimin e vizave në muajin e kaluar. Është e vështirë të parashikohet nëse dhe kur BE-ja do t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave”, tha Caplan për Tëvë 1.
E në këtë periudhe e rëndësishme po shihet që Qeveria e Kosovës, të komunikoj ngushtë me Francën dhe vendet e tjera që mund te jenë skeptike.
Si shpresë në këtë rrugë po shihet edhe kancelari Gjerman, Olaf Scholz, që ai ta bind Presidentin Macron të ndryshoj qëndrim sa i përket këtij procesi.
“Unë nuk kam çfarë të shtoj më shumë nga ato që i ka thënë Kancelari gjerman, Olaf Scholz për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Po shpresoj që ai tashmë ka filluar të bisedoj me Presidentin francez, Emmanuel Macron, për këtë çështje. Jam duke shpresuar se brenda këtij viti do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës”, tha eurodeputetja, Viola Von Cramon.
Kosova është i vetmi vend në rajon, që nuk iu është hequr regjimi i vizave.