Juventusi është mposhtur në udhëtim te Sassuolo me rezultat minimal 1-0, humbje që i largon ata edhe më shumë nga pozitat që i dërgojnë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Deri te kjo humbje erdhi kur talenti i Juventusit, Nicolo Fagioli nuk e largoi një top mirë nga zona dhe Defrel realizoi për 1-0.
Vetëm dy minuta më vonë mesfushori u largua nga loja, teksa shpërtheu në lot në bankën rezervë.
“Reaguam vetëm pas një ore lojë të shëmtuar, në një ndeshje që ishte ndoshta më e rëndësishmja për renditjen, deri në këtë pjesë të sezonit”.
“Dy humbje radhazi nuk na çojnë askund, por mesa duket është edhe faji im për këtë, sepse ndoshta euforia në disa raste na ka bërë të harrojmë se ku ndodhemi”, tha Allegri.
Trajneri italian foli edhe për lotët e Fagiolit, duke thënë se ai duhet të qëndroj i qetë pasi të gjithë bëjnë gabime.
“Nicolo thjesht duhet të rrijë i qetë, pasi të gjithë bëjmë gabime dhe mbi të gjitha nuk ishte ai përgjegjësi për humbjen tonë. E gjithë skuadra ishte jashtë loje, jashtë skemave, gabuam shumë, por tani duhet të nisim të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, pasi kemi ende rrugë për të bërë”.
“Fatmirësisht, disa sinjale pozitive morëm nga Chiesaa, por edhe nga Pogba që janë gati për t’u rikthyer dhe në këtë mënyrë do të kemi më shumë alternativa, duke nisur nga ndeshja e Ligës së Ecropës me Sportingun e Lisbonës, ku kemi një rezultat të ndeshjes së vajtjes për të ruajtur dhe për t’i dhënë vazhdimësi, për të arritur gjysmëfinalet e turneut”, u shpreh Allegri.